Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen 9 persona në doganën e Qafë Thanës, mes të ndaluarve dy policë e dy doganierë


Dy punonjës policie të Pikës Kufitare të Qafë Thanës, dy doganierë dhe tre persona janë arrestuar në flagrancë në një operacion nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Persona me iniciale J.H., B.H. e F.G. janë ndaluar në flagrancë teksa po futeshin në territorin e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut duke transportuar mallra ushqimore kontrabandë.

Sipas hetimit të deritanishme, dyshohet se punonjësit e policisë kufitare dhe doganierët në bashkëpunim me njëri-tjetrin e në këmbim të shumrave të parave kanë lejuar kalimin e personave me mallrat kontrabandë.

Njoftimi

“Dy punonjës policie të Pikës Kufitare Qafë Thanë, 2 doganierë dhe 3 shtetas janë arrestuar në flagrancë nga AMP për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion aktiv/pasiv” dhe “Kontrabandë me mallra të tjera”.

Tre personat e identifikuar me inicialet J. H., B. H. dhe F. G., janë kapur në flagrancë ndërsa udhëtonin me mjete të ndryshme nga shërbimet në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë, duke transportuar mallra ushqimorë të futura kontrabandë nga Pika e Kalimit Kufitar “Qafë Thanë”, duke shmangur detyrimet doganore.

Nga hetimet rezultoi se punonjësit e policisë të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë në bashkëpunim me doganierët, kundrejt një shume parash kanë favorizuar tre personat në kalimin e mallrave kontrabandë pa kryer procedurën e zhdoganimit.

Për këtë arsye, nga AMP në bashkëpunim me DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, “Korupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” për:

– Inspektor A. H., 43 vjeç, Ndihmës/Specialist kontrollor në PKK Qafë Thanë.

– Inspektor F. M., 38 vjeç, Trupë Shërbimi në PKK Qafë Thanë.

– V. B., 53 vjeç, me detyrë Doganier, pranë Degës Doganore Qafë Thanë

– J. P., 45vjeç, me detyrë Doganier, pranë Degës Doganore Qafë Thanë

Po ashtu në vijim të veprimeve paraprake hetimore u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe ”Korupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” tre personat:

– J. H. , 37 vjeç, banues në Librazhd

– B. H., 38 vjeç, banuese në Librazhd

– F. G., 22 vjeç, banues Librazhd

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 automjete, 9 aparate celularë, sasi vlerash monetare të përfituara në mënyrë të kundraligjshme nga aktiviteti i kontrabandës në ambjentet e punës, sasi e konsiderueshme e mallrave ushqimorë dhe pijeve të ndryshme, si dhe mallra të tjera.”