Vendosni fjalën kyçe....

Pistoleta dhe snajperë, policia gjen arsenalin e armëve në një garazh te Liqeni i Thatë (PAMJET)


Policia ka zbuluar një arsenal armësh sot në kryeqytet. Forcat e policisë bëjnë me dije se kanë sekuestruar armët të llojit pistoletë dhe snajper gjatë operacionit të sotëm te Liqeni i Thatë.

Gjatë operacionit të koduar “Silent 2”, është arrestuar një person, i cili kishte marrë me qira garazhin ku janë gjetur armët në një pallat në rrugën “Peti” në zonën e Liqenit të Thatë.

Grupi hetimor po heton nëse ky grup kriminal ka lidhje me grupin e goditur pak ditë më parë në Kodër Mëzez ku u zbulua një laborator për prodhimin dhe modifikimin e armëve.

Gjithsej mësohet se janë sekuestruar 12 armë zjarri. Armët janë gjetur një garazh.

DETAJET E POLICISË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Silent 2”.

Operacioni, i zhvilluar nga Sektori kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të operacionit “Silent”, që u zhvillua një javë më parë.

Sekuestrohen 2 snajpera, 4 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri automatike, 4 armë zjarri pistoleta me silenciator, 85 pako me fishekë të kalibrave të ndryshëm, një sasi e konsiderueshme krehra armësh, pjesë të ndryshme armësh, shënjestra optike për armët e precizionit (snajper), tre kallëpe tritoli, sasi lënde e dyshuar eksplozive, 2 palë portotarga elektrike për fshehjen e targave, një automjet, 3 aparate celulare, 2 laptopë, 5 paruke dhe një pasaportë e dyshuar e falsifikuar.

Arrestohet në flagrancë 27-vjeçari që i mbante në magazinën dhe në banesën, që i kishte marrë me qira.

Specialistët e Sektorit kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në garazhin e një pallati, në rrugën “Peti”, një shtetas mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar ‘Silent 2”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– E. P. (B) 27 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në garazhin e marrë me qira nga ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 snajpera (njëri prej tyre prodhim i viteve të fundit), 4 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri automatike, 4 armë zjarri pistoleta me silenciator, 85 pako me municion luftarak të kalibrave të ndryshëm, pjesë të ndryshme armësh, shënjestra optike për armët e precizionit (snaiper), një sasi e konsiderueshme krehra armësh, tre kallëpe tritoli, sasi lënde e dyshuar eksplozive, 2 palë portotarga elektrike për fshehjen e targave dhe 5 paruke.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së marrë me qira nga shtetasi E. P. (B)., u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale një automjet në përdorim nga ky shtetas, 3 aparate celulare, 2 laptopë dhe një pasaportë e dyshuar e falsifikuar.

Po punohet për identifkimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.