Vendosni fjalën kyçe....

Propozimi i Ramës për Kurtin: Të botojmë një revistë të përbashkët të dy qeverive, të jetë e përvitshme


Në fund të mbledhjes së sotme mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, kryeministri Edi Rama ka bërë një propozim. Krijimin e një reviste të përbashkët të dy qeverive, përmes të cilët të bëjnë të ditura për publikun të gjitha informacionet mbi marrëveshjet dhe bashkëpunimin e tyre.

“Do doja t’i kthehesha propozimit për Kuvendin e Përbashkët, me sugjerimin që të dy zv.ministrat të angazhojnë të gjithë qeverinë të Kosovës dhe të Shqipërisë për të nxjerrë në fund të vitit, mundësisht në të njëjtën periudhë, një revistë bashkëqeveritare, ku të gjitha marrëveshjet dhe ecuria e tyre të jenë të përshkruara me të gjitha rezultatet, pritshmëritë në vijim dhe pse jo, me këndvështrimin kritik se çfarë duhet bërë më tutje.

Në mënyrë që të gjithë atë informacion të detajuar që nuk mund ta japim as në mbledhje të përbashkëta, as nëpër konferenca shtypi, as nëpër intervista, ta kenë një pikë referimi. Të kemi një revistë të përbashkët, të përvitshme, me gjithë gjithë ecurinë e marrëveshjeve dhe me gjithë ecurinë e bashkëpunimit mes dy qeverive dhe gjithë volumin e angazhimeve dhe ndërveprimeve mes dy shteteve.

Në këtë mënyrë kemi pikë referimi edhe si fletore zyrtare e mbledhjeve e punës së përbashkët mes dy qeverive. Besoj që, nëse Albini e aprovon ne mund ta bëjmë dhe të kemi një botim dinjitoz ku ta ndajmë me publikun e gjerë edhe me gjithë ata që komentojnë, analizojnë dhe studiojnë punët tona, se cilat janë faktet e bashkëpunimet, jo fjalimet, por faktet.”- tha kryeministri Rama.

Por kryeministri i Ksoovës Albin Kurti e injoroi këtë propozim, duke e mbyllur takimin me fjalët se janë me vonesë.

“I dashur Edi, unë ju falënderoj të gjithëve nga zemra për punën e deritanishme dhe prezantimet që bëtë sot. Më 10 qershor të këtij viti, kur ishim në Prizren, e diskutuam mbledhjen e përbashkët në Vlorë, dhe e di që kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, është dakord, dhe tani më duhet të pyes dhe kryetarin e Kuvendit tim, dhe besoj që do të jemi të gjithë bashkë më 28 nëntor. Përveçse një shekull, jemi gjysmë ore me vonesë, ndaj duhet të nxitojmë për te nënshkrimi i marrëveshjeve e më pas për te dreka.”- tha Kurti.