Vendosni fjalën kyçe....

Berisha përkujton 23-vjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë: Ditë historike dhe mirënjohjeje


Trupat amerikane duke përshëndetur shqiptarët e Kosovës më 13 qershor 1999, teksa ushtarët kalojnë pranë Kampit të Stankovecit në Maqedoninë e Veriut dhe nisen drejt Kosovës.

Kryetari i PD-së Sali Berisha ka përkujtuar sot përmes një mesazhi në rrjetet sociale, 23-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Ai thotë se kjo është një ditë e shënuar historike për Kosovën dhe kombin shqiptarë dhe një ditë mirënjohjeje.

“23-vjetori i hyrjes së NATO-s në Kosovë!

Të dashur miq, si sot 23 vjet më parë, pas tre muajsh bombardimesh të infrastrukturës ushtarake të Beogradit nga fuqitë ajrore të NATO-s, trupat toksore të Aleancës hynë si çlirimtare në Kosovë.

Kjo është një ditë e shënuar historike për Kosovën, kombin shqiptar dhe NATO-n.

Kjo është një ditë mirënjohjeje të pakufijshme për të gjithë ata që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e Kosovës, për Aleancën e Atlantikut të Veriut, ushtritë dhe vendet anëtare të saj, në veçanti për SHBA-të dhe presidentin Bill Klinton që udhëhoqën betejën e NATO-s për çlirimin e Kosovës. Rroftë Kosova, rroftë NATO!”- shkruan Berisha.

Si sot para 23-vitesh, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi, që zgjati 78 ditë.