Vendosni fjalën kyçe....

Mbështetësit e Berishës e shtynë dhe përzunë nga selia, Roland Bejko: Berisha të mbajë njerëzit në kontroll, këtë që më bënë mua na e ka bërë vetëm Enver Hoxha


Pasi u shty dhe u përzu nga selia blu nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, Roland Bejko ka mbajtur një fjalë të shkurtër për gazetarët.

Bejko tha se kjo që ka ndodhur sot, ka ndodhur vetëm në vitin 1991. Ai i bëri thirrje Berishës të mbajë njerëzit nën kontroll.

“Unë erdha aty brenda në seli. Më lini se jam në shtëpinë time…

Kjo që po shihni ju tani ka ndodhur edhe në shkurt të 91-shit. Në shkurt të 1991 ishte protesta e studentëve, unë kam qenë drejtues, ishim duke organizuar protestën kundër Enver Hoxhës, aty na ka ardhur turma e Enveristëve e na ka shkelu me këmbë.

Ne luftuam për demokraci dhe shikoni si manifestohet sot nga këta. Sot marrim këta shembuj, ky është produkt i Sali Berishës dhe paaftësi e elitës së PD që e kanë lënë partinë në këtë pikë. Erdha për t’u futur në seli dhe u ndesha me këtë reagim. I them Berishës të mbajë njerëzit në kontroll sepse këtë që më bënë mua këta sot, na e ka bërë vetëm Enver Hoxha në 1991 në Gjirokastër.

Këtë e bëjnë sot këta që unë kam ftuar 30 vite për demokraci. Nuk kanë faj këta, faj ka ai që i ka sjellë këtu që të vriten demokratët. Më qëlluan nga pas njerëz që i kam mbajtur me bukë, ky është fundi.”– tha Bejko i cili kishte tentuar të fliste edhe pak më parë, por nuk u lejua nga protestuesit e mbledhur në selinë e PD-së.

Bejko ishte i fundit që u paraqit për në mbledhjen e thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha, por nuk u lejua të futej brenda nga protestuesit.