Vendosni fjalën kyçe....

Rusia dhe Kina më afër, hapet ura e parë që lidh dy vendet


Hapet ura e parë rrugore midis Rusisë dhe Kinës për trafik mallrash. Kjo vjen në mes të krizës së thellë në marrëdhëniet midis Moskës dhe Perëndimit për shkak të operacionit ushtarak rus në Ukrainë.

Ndërtimi i kalimit 1080 metra të gjatë midis qytetit rus të Blagoveshchensk dhe Heihe të Kinës mbi lumin Amur filloi në fund të vitit 2016 në të dyja anët njëkohësisht.

Siç shkruan RT, investimi total arriti në 19 miliardë rubla (325.4 milion dollarë), 14 miliardë prej të cilave u kontribuuan nga Rusia. Hapja e urës ishte planifikuar fillimisht për në nëntor të vitit 2020, por u shty për shkak të pandemisë Covid. Kjo për shkak se rregullat strikte kundër Covidit janë ende në fuqi në Kinë, tani për tani vetëm kamionët lejohen të kalojnë kufirin.

“Në botën e sotme të fragmentuar, ura Blagoveshchensk-Heihe midis Rusisë dhe Kinës ka një kuptim të veçantë, simbolik. Do të bëhet një linjë tjetër miqësie që lidh popujt e Rusisë dhe Kinës.”– tha zëvendëskryeministri rus Yury Trutnev gjatë ceremonisë së inaugurimit.

Zëvendëskryeministri kinez Hu Chunhua foli gjithashtu për kuptimin simbolik të ngjarjes. Ai vuri në dukje se për shkak të urës vendi i tij do të ofronte shërbime më të mira logjistike dhe se kalimi do të bëhej “një urë miqësie dhe bashkëpunimi”.

 

Të premten, tetë kamionët e parë rusë të flotës së Gazprom Helium Service, të mbushur me gaz natyror të lëngshëm, kaluan urën për në Kinë nëpërmjet pikës së kontrollit Kani-Kurgan-Heihe. Nga ana kineze, tetë kamionë me goma makinash dhe komponentë për pajisjet elektrike janë nisur drejt Rusisë.

“Jam i sigurt se hapja e urës do të zvogëlojë kostot dhe kushtet e transportit të mallrave në tregtinë e jashtme.”- tha Vitaly Savelyev, kreu i Ministrisë së Transportit të Rusisë.

Ai shtoi se kalimi i ri do të lejojë që qarkullimi i mallrave midis dy vendeve të arrijë deri në 1 milion ton në vit.

Për momentin, tarifa mesatare për të udhëtuar përmes urës për një makinë do të ishte 8 mijë e 700 rubla (ose rreth 150 dollarë), por kur kostoja e ndërtimit të jetë rimbursuar, tarifat do të ulen.

Ideja e një “kufiri miqësor” midis Blagoveshchensk dhe Heihe daton në fund të viteve 1980. Marrëveshja e parë e raportuar midis dy qyteteve u bë në shtator të vitit 1987, kur një ngarkesë shalqinjsh u tregtua për pleh sovjetik.