Vendosni fjalën kyçe....

Punonjësit të supermarketit në Greqi i zbulohen 2.5 milionë materiale pornografike me fëmijë


Një zbulim tronditës është bërë në Greqi, ku një 43-vjeçar në Dramë dyshohet se kishte 2.5 milionë dosje me pornografi për fëmijë.

Siç shkruajnë mediet e shtetit fqinj, burri i cili ishte punonjës i një supermarketi, është arrestuar nga autoritetet dhe i është caktuar masa e paraburgimit dhe ky është rasti më i madh i pornografisë së fëmijëve për sa i përket sasisë së dosjeve.

“Një operacion i shënjestruar është kryer javën e kaluar (3/6/2022) nga oficerët e policisë së Nëndrejtorisë së Prokurorisë së Krimeve Kibernetike të Greqisë Veriore, në kuadër të të cilit është gjetur një person që posedonte të paktën 2.5 milionë dosje me materiale pornografike për fëmijë dhe arrestuar.”- kanë bërë me dije autoritetet greke.

Sipas të dhënave policore, është tronditëse fakti që autori kishte filluar të grumbullonte materiale pornografike 20 vite më parë. Në fakt, përmbajtja ishte për fëmijë 3 vjeç e lart.

Detajet që çuan Drejtorinë e Krimeve Kibernetike drejt hetimeve të mëtejshme erdhën nga Europol, në kuadër të një operacioni në internetin e errët (Darknet) të kryer nga autoritetet franceze në fillim të vitit të kaluar.

I arrestuari jetonte në shtëpinë e prindërve në Dramë, ndërsa nuk dihet nëse fitonte para nga materiali që dispononte, diçka që do të konstatohet pasi hetuesi pritet të hetojnë llogaritë e tij bankare.

Provat dixhitale do t’i dërgohen Drejtorisë së Hetimeve Kriminologjike të Greqisë Veriore për ekzaminim të mëtejshëm laboratorik.

Rasti më i madh i pornografisë së fëmijëve në Greqi është në qendër të vëmendjes mediatike për momentin.