Vendosni fjalën kyçe....

“Ke bërë tendera sekretë, e ke vendin te Dumanët në burg” – Berisha dhe Manastirliu përplasen në Kuvend: Je hipokrit


Ish-kryeministri Sali Berisha ka debatuar sot në Kuvend me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu të cilën e akuzon se la dhënë tendera sekretë gjatë pandemisë.

Ndaj dhe sipas tij, ministrja duhej të kishte dhënë dorëheqjen pesë herë. Madje shton se Manastirliu duhet të ishte bashkë me “Dumanët” në burg.

“Ti që përfaqëson Korçën shko pak në Dvoran sa mollë janë hedhur sepse vijnë mollët serbe këtu. Shkoni pak në Myzeqe dhe pyesni sa fermerë kanë therur lopët e racës. Pyesni pronarët e serave që po falimentojnë.

Por për ju ata nuk ekzistojnë. Prandaj jam këtu për t’u bërë thirrje shqiptarëve që të ngrihemi. Nuk mund të kemi ne mungesë ndjeshmërie ndaj këtyre akteve ndaj burrave, grave dhe të gjithë shqiptarëve. Më thoni ju mua a mund të ndodhë.

Tani keni nxjerrë një ligj tjetër do e sillni në parlament. Edhe qesh kjo mbrapa. Nuk qeshet zonjë. Ti duhet të kishe dhënë dorëheqjen pesë herë dhe të kishe shkuar te Dumanët atje ku e ke vendin sepse ke bërë tendera sekrete në kohën e pandemisë. Nuk mund të qesh unë kur shoh ministret me diamante dhe svarovski me djersën e qytetarëve. Kapardisen me luksin sikur je në sallat e hollivudit.”- tha Berisha.

Ministrja Manastirliu iu kundërpërgjigj Berishës duke e quajtur atë një hipokrit që gëzon për vdekjet.

“Në tetë vite të qeverisjes tënde i bëre spitalet kioska, ku shiteshin pizhame. Nuk bëre asgjë përveçse ju vure kolegëve tuaj çimka, për të kuptuar se nga të vinte e keqja. Unë kam punuar dyfish, se po të kishe bërë gjë ti zotërote, do ishim duke bërë më shumë. Vetëm ti mund të gëzosh për vdekjen, se nuk të bën përshtypje ty vdekja, sikur s’të kanë bërë përshtypje vdekja e të pafajshmeve në Gërdec, kështu që për sa kohë je një hipokrit, nuk të shkon të flasësh për shëndetësinë dhe si u menaxhua pandemie, kur flet për fatalitete fjala ka vlerë, por më shumë vlerë se fjala kanë faktet dhe ajo që të vret ty Sali janë faktet dhe e vërteta.

Dhe e vërteta edhe për fatalitetet për fat të keq, tregojnë se Shqipëria e ka përballuar pandeminë me dinjitet dhe duke u përgatitur dhe duke i siguruar mbështetjen stafeve mjekësore dhe garancinë për qytetarët. Fol me fakte dhe mos bëj këtu u hipokritit sepse të njohin qytetarët dhe e gjithë bota, se ndaj të kanë shpallur non-grata.”- tha Manastirliu.