Vendosni fjalën kyçe....

Dëshmia e Dumanit, policia kontrollon shtëpinë e biznesmenit Troplini


Gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Në shënjestër” në News24 ka zbuluar se forcat Speciale pak ditë më parë kanë zbarkuar në banesën e biznesmenit Xhevdet Troplini i njohur si ‘Poja’, ku kanë kryer kontrolle.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme i është kontrolluar banesa në kuadër të operacionit të ‘Plumbit të Artë’, pas dëshmisë së Nuredin Dumanit.

Po ashtu mësohet se është kontrolluar edhe banesa e të birit dhe e nipit.

Lala tha se Troplini ka dhënë dëshmi para oficerëve të policisë. Aksioni në fjalë vjen pak ditë pas rrëfimit të Dumanit, i cili tronditi botën e krimit dhe me dëshmitë e tij, duke çuar në arrestimin e 18 personave.

Troplini ka qenë pjesë e listës së biznesmenëve të gjobitur në Durrës nga një eksponent shumë i njohur kriminal në Shqipëri si Emiljano Shullazi. Por emri i tij është lakuar dhe për dy atentate, atë të 2017 ku në Mbikalimin e Sukthit mbetën të vrarë Juxhin Dauti dhe Ervin Dalipaj, si dhe atentatit ndaj kunatit të Lulzim Berishës, Plarent Dervishajt në 2019.

Biznesmeni ka qenë në rrjetën e OFL pasi iu sekuestrua një automjet i blinduar tip ‘Jeep’ por më pas i është rikthyer pasi e kishte me dokumentacion të rregullt.