Vendosni fjalën kyçe....

Serbia numëron humbjet nga ndalimi i naftës ruse i BE-së


Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të hënën se vendi i tij ka pësuar humbje të konsiderueshme për shkak të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, veçanërisht në furnizimin me naftë.

“Vetëm duke vendosur sanksione ndaj naftës ruse, ata (Bashkimi Evropian) na morën drejtpërdrejt 600 milionë dollarë nga xhepi!”- tha ai në televizionin kombëtar, duke theksuar se paratë i janë marrë popullit të Serbisë.

Vuçiç theksoi se nafta irakiane e Kirkukut aktualisht është 31 dollarë më e shtrenjtë për fuçi. “Ata na morën 600 milionë dollarë dhe ne ende duhet të investojmë para shtesë në gaz.”– tha ai sipas RT-së.

Presidenti serb vuri në dukje se situata në sektorin global të energjisë po bëhet më e ndërlikuar. “Ne kemi shpallur de fakto, por jo zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme.”- tha ai, duke shtuar se çështjet e energjisë po “zgjidhen çdo ditë”.

Javën e kaluar, BE miratoi një raund të gjashtë të sanksioneve ndaj Rusisë, i cili përfshin një embargo të naftës. Shtetet anëtare kanë gjashtë muaj kohë për të ndaluar importet e naftës ruse qoftë nga deti ose nga tubacionet, dhe tetë muaj për t’i dhënë fund blerjeve të “produkteve të tjera të naftës të rafinuara”. Megjithatë, do të ketë një përjashtim të përkohshëm për vendet që janë më të varura nga energjia ruse, si Republika Çeke, Hungaria dhe Bullgaria.

Pavarësisht se po përballet me presionin në rritje nga Bashkimi Evropian, Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve anti-ruse dhe ruan lidhjet me Moskën. Vuçiç tha në Forumin Ekonomik Botëror në Davos muajin e kaluar se Serbia para së gjithash do të vazhdojë të ndjekë “interesat e veta”.