Vendosni fjalën kyçe....

U godit me thikë pas shpine, ndërron jetë 43-vjeçari në Sarandë


Ka ndërruar jetë në spital 43-vjeçari Kledi Koka, i cili u godit me thikë pas shpine paraditen e sotme në shëtitoren e Sarandës.

Sipas bluzave të bardha, Koka kishte marrë plagë të thellë në mushkëri dhe kishte humbur shumë gjak.

Lidhur me ngjarjen policia ka vënë në pranga të dyshuarin Genti alias Jorgo Golemi, 43-vjeç, peshkatar, i dënuar më parë në Greqi për “trafik droge” dhe në Sarandë për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “mbajtje pa leje të armeve dhe municionit”.

 “Goditi me mjet prerës 43-vjeçarin, i cili ndërroi jetë si pasojë e dëmtimeve të marra, vihet në pranga autori i dyshuar.

Në vijim të informacionit paraprak, përmes të cilit njoftuam se, në shëtitoren e Sarandës, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi J. G. goditi me mjet prerës, në kurriz, shtetasin K. K., 43 vjeç, sqarojmë se, si pasojë e plagëve të marra shtetasi K. K. ka ndërruar jetë.

Brenda një kohe të shkurtër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit J. G.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thika), me të cilën dyshohet se shtetasi J. G. ka goditur shtetasin K. K.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Kledi Koka kishte skaf e varka turistike, me të cilat shëtiste turistët nëpër plazhe. Ai dhe Golemi dyshohet se kishin debatuar për shkak të parkimit të një varke në limanin e qytetit.