Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina e quan politikën e Gjermanisë ‘turp’: S’po na ndihmoni të arrijmë fitoren e përbashkët mbi Rusinë


Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andrey Melnyk, kritikoi të dielën mungesën e furnizimit me armë të rënda nga Berlini për të mbështetur Kievin në luftën e tij kundër Moskës, duke akuzuar autoritetet gjermane se nuk po i japin vendit as armët e vjetra të rënda.

“Qeveria gjermane në mënyrë cinike kundërshton të na furnizojë edhe me tanke të vjetra ‘Leopard-1’ dhe ‘Marder IFV’.” – tha Melnyk në një postim në mediat sociale, duke e quajtur një sjellje të tillë një ‘turp që do të hynte në histori’.

Vërejtjet erdhën një ditë pasi kryetari i parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk, vizitoi Gjermaninë, me sa duket për të mbledhur mbështetjen për dërgesat e armëve të rënda.

Duke folur përpara një takimi me ministren gjermane të Mbrojtjes Christine Lambrecht të premten, Stefanchuk tha se ‘furnizimi i shpejtë i pajisjeve më moderne në Ukrainë’ do ndihmonte për të afruar ‘fitoren e përbashkët’ mbi Rusinë.

“Nuk e përjashtoj marrjen e nëndetëseve nga Gjermania, sepse ne jemi gati të bëhemi kufiri lindor i mbrojtjes për të gjithë Evropën.” – tha Stefanchuk. Më vonë gjatë ditës, ai përsëriti pritshmëritë e Kievit se Gjermania do i siguronte atij automjete të blinduara ‘Marder’ dhe tanke ‘Leopard’, të cilat Dmitry Kuleba, kryediplomati i Ukrainës, i përshkroi muajin e kaluar si ‘ëndrra’ e Kievit.

Melnyk ka sulmuar vazhdimisht udhëheqjen gjermane për mungesën e supozuar të mbështetjes nga Berlini për Ukrainën në konfliktin e vazhdueshëm me Rusinë.

Ai gjithashtu nisi një sulm të ashpër personal ndaj kancelarit gjerman Olaf Scholz lidhur me kundërshtimin e tij për të vizituar Kievin për të treguar solidaritet me Ukrainën.