Vendosni fjalën kyçe....

Elon Musk kërcënon të largohet nga marrëveshja me “Twitter”-in


Elon Musk ka kërcënuar se do të largohet nga marrëveshja për blerjen e Twitter-it prej 44 miliardë dollarësh, duke e akuzuar kompaninë e mediave sociale se ka “penguar” kërkesat e tij për të mësuar më shumë rreth bazës së përdoruesve.

Në një letër të dorëzuar te rregullatorët, Musk tha se kishte të drejtë të bënte matjen e tij të llogarive false apo spam.

Musk beson se llogaritë e padëshiruara dhe të rreme përfaqësojnë një pjesë shumë më të madhe se më pak se 5% e përdoruesve të përditshëm që Twitter deklaron publikisht.

“Si pronari i mundshëm i Twitter-it, zoti Musk ka të drejtë në mënyrë të qartë për të dhënat e kërkuara për t’i mundësuar atij të përgatitet për kalimin e biznesit të Twitter-it në pronësinë e tij dhe për të lehtësuar financimin e transaksioneve të tij. Për t’i bërë të dyja, ai duhet të ketë një njohje të plotë dhe të saktë të thelbit të modelit të biznesit të Twitter-it – baza e tij aktive e përdoruesve.”- shkruante në letër avokati Mike Ringler, citon BBC.

“Bazuar në sjelljen e Twitter deri më sot, dhe korrespondencën më të fundit të kompanisë në veçanti, Musk beson se kompania po reziston në mënyrë aktive dhe po pengon të drejtat e tij të informacionit.”– thuhej në letër.

Analistët thonë se Musk mund të jetë duke e përdorur çështjen e llogarive të padëshiruara në përpjekje për të rinegociuar çmimin. Javët e trazirave të tregut kanë ulur vlerën e shumë kompanive, duke e bërë ofertën e Musk prej 54.20 dollarë për aksion për Twitter-in të duket edhe më bujare.

“Kjo është një shkelje e qartë materiale e detyrimeve të Twitter-it sipas marrëveshjes së bashkimit dhe Musk rezervon të gjitha të drejtat që rrjedhin prej saj, duke përfshirë të drejtën e tij për të mos përfunduar transaksionin dhe të drejtën e tij për të përfunduar marrëveshjen e bashkimit.”– shkruhet në letër.