Vendosni fjalën kyçe....

“Zotohem të jap maksimumin”- Fituesit mesazhe falenderimi pas zgjedhjeve të së premtes për postet drejtuese në PD


Një ditë pas zgjedhjeve për postet drejtuese në PD vijnë reagimet nga fituesit që kanë dalë prej tyre.

Flamur Noka është i përzgjedhuri për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, me 157 vota.

Ndërsa në garën për nënkryetarët e partisë, fitues kanë dalë Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi (me 123 dhe 107 vota respektivisht secili) të cilët kandiduan përballë Belind Këllicit (92 vota) dhe Agron Shehajt (73 vota).

Flamur Noka

Në një postim në rrjetet sociale, Noka falenderon Berishën dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar që i besuan detyrën dhe zotohet se do të japë maksimumin.

“Faleminderit!
Falenderoj përzemërsisht Kryetarin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, për konsideratën dhe besimin ndaj meje!
Falenderoj dhe i jam mirënjohës anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që më besuan detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm!
Nder dhe privilegj t’i shërbej demokratëve. Obligim përpara tyre për të punuar çdo ditë për fuqizimin e Partisë Demokratike, për një PD më të bashkuar, më të fortë, më të hapur dhe për kthimin e saj në një forcë politike fituese. Zotohem të jap maksimumin për të përmbushur pritshmëritë e detyrës!”- shkruan Noka.

Ai ka mundur me një diferencë të madhe votash ish-sekretarin e përgjithshëm të kësaj force politike, Arben Ristanin, i cili ka marrë 54 vota.

Oerd Bylykbashi

Në një postim në rrjetet socialë, Bylykbashi gjithashtu falenderon anëtarët e Këshillit Kombëtar që e votuan.

“Falenderoj nga zemra anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që më besuan detyrën e nënkryetarit të PD.

Ky votëbesim për mua është një obligim i madh në rrugën e vështirë por fisnike për t’u rikthyer shpresën shqiptarëve, për fitoren e PD dhe rikthimin e vlerave ku ajo ka themelet.

Një urim i veçantë për çdo mik e koleg që u zgjodh sot në detyrat e rëndësishme të PD.

Respekt për të gjithë kandidatët që e bënë këtë garë dinjitoze e të fortë!

Bashkë do t’ia dalim! Fitore PD.”-shkruan Bylykbashi.

Luçiano Boçi

Nënkryetari tjetër i zgjedhur Luçiano Boçi, gjithashtu shkruan: “Falenderime për votëbesimin që Këshilli Kombëtar na dha ne të gjithëve, për vazhdimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për bashkimin e Partisë Demokratike dhe kthimin e saj në alternativë qeverisëse!

Mirënjohje për çdo demokrat e votues që me besim e përkushtim na ndjek e mbështet pa kursim në rrugën e betejat tona politike!”