Vendosni fjalën kyçe....

Meta firmos dekretin nga Stambolli, Kuvendit i hapet rruga për të votuar Bajram Begajn për president


Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dalë në një Konferencë të Jashtëzakonshme nga Stambolli lidhur me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Meta ka firmosur nga Stambolli dekretin për lirimin e kandidatit për president Bajram Begajt nga detyra Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura si gjeneralmajor. 

Firmosja e këtij dekreti në fakt ishte paralajmëruar edhe më herët gjatë ditës së sotme, pasi zëdhënësi i kreut të shtetit Tedi Blushi shkroi se Meta është në ndjekje të procedurës për zgjedhjen e Bajram Begajt si kandidat për president dhe theksoi se ai do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.

 “Presidenti i Republikës, Ilir Meta është në ndjekje të procedurës për zgjedhjen e zotit Bajram Begaj si President i ri i Republikës dhe do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.

Lidhur me këtë çështje dhe specifikat e saj Presidenti Meta ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes, z.Niko Peleshi.”– shkruante Blushi.

Përpara se të nisë votimi për të sot në Kuvend, Begaj hoqi dorë nga postet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe grada gjeneralmajor. Dhe me dekretin e Metës, tashmë i hapet rruga Kuvendit për të votuar për kandidaturën e tij.