Vendosni fjalën kyçe....

Amnistia fiskale pa akte nënligjore, Malaj: Do të publikohen brenda majit



Edhe pse ligji i Amnistisë Fiskale është miratuar, mungesa e akteve nënligjore po krijon paqartësi në zbatimin e tij, ndërsa bizneset raportojnë për presion dhe mbledhje selektive të detyrimeve nga organet tatimore.

Në këto kushte, subjektet ekonomike pretendojnë se po u kërkohet të shlyejnë detyrime përpara se të përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara në ligj, duke e cilësuar këtë praktikë në kundërshtim me frymën e amnistisë.

Nga ana tjetër, ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se aktet nënligjore për zbatimin e politikave të ashtuquajtura “paqe fiskale” dhe fshirjes së detyrimeve janë drejt finalizimit.

Sipas tij, këto akte janë diskutuar edhe me organizma ndërkombëtarë dhe pritet të publikohen brenda muajit maj, duke përcaktuar procedurat konkrete që duhet të ndjekin tatimpaguesit.

“Fshirja e detyrimeve do të përfshijë si detyrimet doganore, ashtu edhe ato tatimore, në përputhje me parashikimet ligjore ekzistuese”, deklaroi Malaj.

Ai theksoi se nga kjo skemë do të përfitojnë të gjithë tatimpaguesit që plotësojnë kriteret e përcaktuara për faljen e detyrimeve.

Ndërkohë, ekspertë dhe përfaqësues të biznesit nënvizojnë se aktet nënligjore janë thelbësore për zbatimin praktik të ligjit, pasi ato përcaktojnë hapat dhe procedurat konkrete për përfitimin nga amnistia fiskale. Megjithatë, deri në hyrjen e tyre në fuqi, situata mbetet e paqartë dhe e shoqëruar me tensione mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes.