Vendosni fjalën kyçe....

Embargoja e gazit rus nuk është në tryezë – Austria


BE nuk do diskutojë një ndalim të importeve të gazit natyror rus si pjesë e raundit tjetër të sanksioneve të lidhura me Ukrainën kundër Moskës, bëri të ditur kancelari austriak Karl Nehammer.

“Embargoja e gazit nuk do të jetë temë. Kancelari gjerman Olaf Scholz gjithashtu e ka bërë të qartë këtë.” – u tha Nehammer gazetarëve në margjinat e samitit të BE-së në Bruksel. Të hënën, BE ra dakord për një ndalim të pjesshëm të naftës së papërpunuar ruse si pjesë e raundit të gjashtë të sanksioneve.

“Nafta ruse është shumë më e lehtë për t’u kompensuar ndërsa gazi është krejtësisht i ndryshëm, prandaj embargoja e gazit nuk do të jetë një çështje në paketën e ardhshme të sanksioneve.” – shpjegoi Nehammer.

Estonia dhe Belgjika ndajnë të dyja pikëpamjet e Austrisë për një embargo të mundshme të dërgesave të gazit rus në BE. Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas pranoi para gazetarëve pas mbërritjes së saj në samit të martën se vendosja e më shumë sanksioneve ndaj Rusisë do të jetë e vështirë, pasi qytetarët e BE-së janë prekur.

“Unë mendoj se gazi duhet të jetë në paketën e shtatë, por duhet të jem realiste dhe nuk mendoj se nuk do na duhet të arrijmë deri atje.” – tha ajo, cituar nga Euroneës.

Kryeministri belg Alexander De Croo përshëndeti embargon e naftës ruse si ‘një hap i madh përpara’ ndërsa tha se ndalimi i gazit rus është ‘shumë më i ndërlikuar’.