Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthen bombola e gazit në një kopsht në Itali, pësojnë djegie 5 fëmijë


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Itali, ku pesë fëmijë janë djegur në një kopsht fëmijësh në Bergamo gjatë provave të një shfaqjeje në shkollë.

Një prej fëmijëve, një vajzë 4-vjeçare, ndodhet në gjendje të rëndë dhe u dërgua me helikopter në spitalin Buzzi të Milanos.

Të plagosur kanë mbetur edhe tre të rritur.

Mediet e shtetit fqinj raportojnë se fëmijët po ngrohnin marshmallows, ushqimet e ëmbla që piqen në zjarr për t’i bërë ato të karamelizuara, kur një bombol gazi shpërtheu.

Edhe një djalë 4-vjeçar pësoi djegie të shumta dhe mbërriti me helikopter në Milano. Tre fëmijët e tjerë, dy vajza të moshës 3 dhe 5 vjeç dhe një djalë 6 vjeç, u transferuan me autoambulanca tek spitali Papa Gjon XXIII në Bergamo me djegie të shumta.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë pesë ambulanca dhe zjarrfikëse, si dhe dy helikopterë për shpëtim nga Brescia dhe Bergamo. Të pranishëm ishin edhe policia lokale dhe karabinierët e Dalmine dhe Treviglio.