Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e policit në Komisariat/ AMP: Kolegu 25-vjeçar akuzohet për vrasje me paramendim, qëlloi disa herë me armën e shërbimit


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka publikuar sot informacionin zyrtar për vrasjen e ndodhur në komisariatin numër 3 mbrëmjen e kaluar.

Sipas AMP-së, 25-vjeçari Ludian Zaimi akuzohet për “vrasje me paramendim”.

Oficeri i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë thuhet se ka qëlluar disa herë3 mbi kolegun me armën e shërbimit, pas një konflikti për motive të dobëta.

NJOFTIMI

Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka qenë e angazhuar maksimalisht për hetimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura në qytetin e Tiranës, si më poshtë vijon;

Më datë 24.05.2022, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Ludian Zaimi, me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.

Arrestimi i punonjësit të policisë Ludian Zaimi, u krye pasi më datë 23.05.2022, në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, ai ka qëlluar disa herë me armën e shërbimit pas një konflikti për motive të dobëta, punonjësin e policisë Çaush Saliasi, me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

 Grupi i posaçëm hetimor vijon kryerjen e veprimeve procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të veprimeve të autorit të veprës penale, ndërsa materialet hetimore do dërgohen pranë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime te mëtejshme.