Vendosni fjalën kyçe....

Del videoja nga vrasja brenda komisariatit, momenti kur efektivi 25-vjeçar qëllon për vdekje kolegun


Del videoja nga momenti kur efektivi 25-vjeçar Ludian Zaimi qëllon me armën e shërbimit kolegun e tij Çaush Saliasi, 55 vjeç.

Në videon e publikuar sot nga “Euronews Albania”, shihet se si në ambientet e Komisariatit nr.3 ndodhen disa efektivë policie të ulur nëpër karrige, në pritje të ndërrimit të turnit.

Në një moment del jashtë viktima i cili shihet i ulur në shkallët e komisariatit, pak çaste pas tij del dhe Zaimi.

Jashtë pranë Saliasit shihet edhe një efektiv tjetër dhe në pamje të parë situata duket e qetë. Por më pas Zaimi kthehet nga 55-vjeçari duke qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të tij.

Saliasi përpiqet të largohet duke u futur përsëri brenda në Komisariat e duke shtyrë me këmbë derën që të largonte 25-vjeçarin. Por ky i fundit e ndjek duke e qëlluar përsëri.

Oficeri 25-vjeçar qëlloi me të paktën me 6 plumba ndaj Saliasit dhe u ndalua nga kolegët kur përpiqej të largohej nga komisariati.

Në dëshminë e tij, ai ka treguar se kolegu 55-vjeçar e ofendonte herë pa here dhe këtë radhë ai s’kishte mundur të duronte dot më.

“Po bënim instruktazhin në momentin kur ndodhi ngjarja. Çaushi vijoi me përsëritjen e fjalëve dhe veprimeve fyese ndaj meje, me shau nga familja dhe ofendime te tjera, nuk durova dhe e qëllova.

Jam përplasur edhe më herët me të, edhe në kohën kur kemi qenë në krye të detyrës, pasi me ofendonte shpesh.

Konsumonte alkool dhe shfaqte sjellje denigruese ndaj meje dhe e kam duruar gjate gjithë kohës. Jam penduar për veprimin që kam bërë, ishte moment dobësie dhe mungese të vetëpërmbajtjes nga ana ime.”- ka thënë oficeri 25-vjeçar.