Vendosni fjalën kyçe....

Gucati e Haradinaj dënohen me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Specialja


Ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale. Gucati e Haradinaj u dënuan për publikimin e dokumenteve të Speciales. Dokumentet ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë vitit 2020.

Në dënim do t’u përllogaritet koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes.

Trupi gjykues i dënoi të dy edhe me nga 100 euro gjobë.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Aktgjykimi i plotë gjendet KËTU

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë thënë se nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore. Gjatë gjykimit, ata e kanë cilësuar Gjykatën Speciale si “gjykatë njëetnike”, synim ka vetëm “dënimin e shqiptarëve”, ndërsa amniston, sipas tyre, kimet e kryera nga forcat ushtarake e policore serbe në Kosovë.

Ky qe aktgjykimi i parë i Speciales. Deri tash gjykimi ka nisur edhe ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit si dhe Salih Mustafës e Pjetër Shalës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Koha