Vendosni fjalën kyçe....

Skema/ Miliarda para të pista transportohen nga aeroportet më të njohura në botë


Jo-Emma Larvin po shtynte një karrocë bagazhesh të mbushur me valixhe nëpër aeroportin ‘Heathrow’ të Londrës në gusht 2020 dhe ia dorëzoi pasaportën e saj një agjenti të ‘Emirates Airline’ për një fluturim në Dubai.

Larvin po udhëtonte në klasë biznesi me një grua tjetër dhe së basshku ato vendosën shtatë valixhe të rënda në rripin transportues. Ajo ka shkëmbyer mesazhe me të dashurin e saj rrugës për në linjën e sigurisë.

“A ndihesh mirë?” ai pyeti.

“Po, pffff,” shkroi Larvin. Valixhët mbanin paund britanike me vlerë miliona dollarë të mbështjellë me shirita gome dhe të paketuara me plastikë.

Paratë i drejtoheshin një pastruesi ndërkombëtar parash, i cili u ngarkonte klientëve një tarifë të lartë për të shkëmbyer para në dorë në këmbim të arit ose monedhave të tjera. Rruga e tij e preferuar për në Dubai ishte nga ‘Heathrow” 1 dhe 2, nga aeroportet më të ngarkuara në botë për pasagjerët ndërkombëtarë.

Mbretëria e Bashkuar kërkon që pasagjerët t’u tregojnë autoriteteve doganore nëse po largohen nga vendi me më shumë se shuma e barasvleshme e rreth 10,000 dollarëve, por Larvin nuk e bëri, duke rrezikuar arrestimin. Shtatë valixhet hynë në sistemin e trajtimit të bagazheve të ‘Heathrow’ dhe rrëshqitën përmes një skaneri 3-D që kontrollonte vetëm për eksplozivë dhe sende të tjera potencialisht të rrezikshme.

Të nesërmen në mëngjes, gratë i mprën valixhet e tyre në Dubai pa pasur shumë shqetësime. Çdo sasi parash lejohet të hyjë në Emiratet e Bashkuara Arabe, për aq kohë sa deklarohet. Gratë ndoqën tabelat në doganë dhe u thanë autoriteteve se kishin sjellë shumën në paund të barasvleshme me 2.8 milionë dollarë.

Shumica e aeroporteve në mbarë botën, duke përfshirë ato në SHBA, nuk skanojnë bagazhet e pasagjerëve për para, një ndërmarrje e kushtueshme në pajisje dhe personel. Vendet ku të gjitha paratë janë të mirëpritura nuk kanë asnjë detyrim të raportojnë për valixhet e mbushura me para të gatshme që vijnë nga jashtë. Boshllëqet lejojnë miliarda dollarë para të gatshme që të fluturojnë nga Britania e Madhe dhe gjetkë drejt vendeve me më pak rregulla, thanë zyrtarët e zbatimit të ligjit.

Sipas vlerësimeve, pastruesit e parave fusin në mënyrë të fshehtë më shumë se 2 trilionë dollarë të ardhura nga ndërmarrjet e paligjshme në sistemet financiare globale çdo vit. Pasagjerët e aeroplanëve ndërkombëtarë ka të ngjarë të transportojnë qindra miliarda dollarë në para të gatshme, sipas shifrave nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin dhe Task Forca e Veprimit Financiar, një agjenci ndërqeveritare që zhvillon standarde kundër pastrimit të parave për vendet.

Një video e marrë nga Agjencia Kombëtare e Krimeve të Mbretërisë së Bashkuar që tregon paundet britanike të sekuestruara më vonë nga autoritetet në aeroportin Heathrow

Një arsye për kaq shumë kontrabandë ajrore është se ndëshkimet dhe skandalet mbi klientët e përfshirë në pastrim parash kanë nxitur më shumë banka në mbarë botën të raportojnë transaksione të dyshimta. “Thjesht nuk mund të hysh në një bankë me kaq shumë para pa u shënjuar”, tha George Voloshin, nga ACAMS, një grup industrie për profesionistët e luftës kundër krimit financiar.

“Do arrestohesh në degën tjetër.”

Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha se oficerët doganorë reagojnë në mënyrë efektive me sigurinë e aeroportit ndaj rreziqeve të kontrabandës. Një zëdhënës i aeroportit ‘Heathrow’ nuk pranoi të komentojë mbi pajisjet dhe praktikat e tij të sigurisë. Një zëdhënës i Emirates Airline tha se zbulimi i kontrabandës së parave të gatshme ishte përgjegjësi e autoriteteve nga ku erdhën paratë.

Një zyrrat i Emirateve Arabe tha se po punonte për të luftuar hyrjet e paligjshme financiare, përfshirë përmes inteligjencës së përbashkët dhe operacioneve të përbashkëta me Mbretërinë e Bashkuar. Emiratet e Bashkuara Arabe, një destinacion global për të pasurit, u hoq kohët e fundit nga lista e vendeve që kanë nevojë për më shumë mbikëqyrje të një mbikëqyrësi financiar global.

Zyrtarët dhe grupet e industrisë thanë se kontrabanda e parave të gatshme përmes linjës ajrore është një rrezik relativisht i ulët për njerëzit e punësuar për të bërë këtë punë. Larvin dhe i dashuri i saj ishin në mesin e 32 kontrabandistëve të dyshuar që punonin për një pastrues parash nga Emiratet Arabe. Dukeshin si para të lehta për t’u fituar. Autoritetet besojnë se kanë transportuar 125 milionë dollarë, kryesisht nga korriku në tetor 2020.

“Si dreqin ia dolën ata të transportojnë kaq shumë para në një kohë kaq të shkurtër?” tha Ian Truby, një oficer i lartë hetues në Agjencinë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar. Një përgjigje, tha ai, është se siguria e aeroportit nuk është për zbulimin e krimit të mundshëm, është vetëm për sigurinë e fluturimit.

Tre javë më vonë, Larvin u nis për në ‘Heathrow’ me të dashurin e saj dhe disa milionë dollarë të tjera para në tetë valixhe. I dashuri i saj ishte i shqetësuar se mos tërhiqte vëmendjen e tepërt me aq shumë bagazhe.

“Është qesharake,” shkroi ai.

“Do biem në sy.”

Ky rrëfim i operacionit të kontrabandës së parave të ‘Heathrow’ bazohet në dokumente dhe prova të lëshuara nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, të dhëna gjyqësore që përfshinin mesazhe me tekst dhe foto, dëshmi gjyqësore nga korrierët e parave, si dhe intervista me hetues dhe njerëz të njohur me çështjen.

Një terminal në aeroportin Heathrow në Londër

Paguaj dhe ik

Abdulla Alfalasi filloi të fluturonte para nga ‘Heathrow’ në Dubai rreth vitit 2017 dhe zgjeroi operacionin e tij gjatë pandemisë. Në ditën e Vitit të Ri 2020, Alfalasi u largua nga ‘Heathrow’ me 11  valixhe, me peshë 463 paund dhe raportoi ekuivalentin e 850,000 dollarëve në Dubai.

Ai i tha një ish-partneri të biznesit se kishte lidhje me familjen mbretërore. Vjehrri i tij drejtonte doganën e aeroportit të Dubait kur ajo ende një barakë dhe tavolinë. Ai e zhvilloi aeroportin në një qendër globale si drejtor i përgjithshëm i aviacionit.

Më vonë atë muaj, Alfalasi i dërgoi mesazhe Michelle Clarke, një asistente ekzekutive që kërkon të zhvendoset në Dubai me fëmijët dhe burrin e saj, një ish-futbollist profesionist. Ajo i përkiste një rrjeti në qytetin verior të Leeds, ku punonte për grupin televiziv me pagesë ‘Sky’.

Alfalasi i dërgoi Clarke një biletë për një fluturim natën nga ‘Heathrow’ në Dubai, me kthim në të njëjtën ditë. Ajo kishte një tekst me foton e një letre që e autorizonte të mbante paratë për një kompani në pronësi të Alfalasit, duke i dhënë një ndjenjë të rreme legjitimiteti punës.

Pasi Clarke u ul në Dubai, Alfalasi e udhëzoi atë në mesazhe me tekst dhe zë për të raportuar paratë në një zyrë aeroporti dhe tha se po priste jashtë. Ajo fluturoi tre herë të tjera në shkurt 2020 dhe Alfalasi regjistroi korrierë të tjerë.

Në korrik 2020, Clarke i dërgoi mesazh një shoqeje, duke thënë se asaj i duheshin 12 persona për të punuar. Kriteret e punës: “Të mos hapin gojën, të jenë të besueshëm dhe të përshtatshëm!!!”

Një mik e vuri Clarke në kontakt me Larvin, duke thënë se Clarke punonte për ambasadën e Emirateve Arabe.

Abdulla Alfalasi

Gratë u takuan për një kafe. Djali adoleshent i Clarke u ul në një tavolinë aty pranë. Clarke i tregoi Larvin certifikatat e vulosura që do mbante si korriere dokumentesh dhe i ofroi 3000 paund(rreth 3,750 dollarë) për të fluturuar valixhet. Clarke gjithashtu do paguante që Larkin të qëndronte në një resort derisa të kthehej në shtëpi me çantat bosh.

Larvin kishte punuar në marketing dixhital dhe kishte bërë disa modelime dhe fotografi kafshësh të egra. Ajo ishte shfaqur në një video muzikore të një grupi britanik që ishte në krye te Hit Parade në vitin 2008. Ndarja e saj në vitin 2009 me të dashurin e saj boksier, kampion bote, Joe Calzaghe, bëri që tabloidët britanikë të kthenin vëmendjen pasi ai filloi të takohej me partneren e tij në shfaqjen televizive “Strictly Come Dancing”.

Muajin pasues, Larvin i dërgoi Clarke një fotografi të pasaportës së saj dhe udhëtoi me tren në stacionin ‘King’s Cross’ të Londrës, rrugës për në ‘Heathrow’. Rrahjet e saj të zemrës po rriteshin, ajo i dërgoi mesazh të dashurit të saj të ri, Jonathan Johnson, një rekrutues ekzekutiv.

“Ju lutemi kini kujdes. Jam shumë në ankth”, shkruhej në mesazh.

Larvin u drejtua për në një ‘Starbucks’ në një lagje të shtrenjtë tregtare dhe takoi shoqëruesen e saj të udhëtimit, një grua 25-vjeçare nga një qytet jashtë Londrës. Një shofer i mori me një ‘Mercedes’ të zi dhe shkoi në një adresë aty pranë për të marrë valixhet.

Në aeroport, ato shkuan në Emirates Airline dhe vendosën shtatë valixhet në rripin e transportit. Bagazhi hyri në gojën e një skaner 3-D që përdor tomografinë e kompjuterizuar, ose CT, për të gjetur eksploziv. Këto pamje, ndryshe nga siguria e pasagjerëve, nuk shikohen nga punonjës njerëz përveç nëse softueri identifikon një send që mund të vërë flakën avionit ose të shpërthejë. Makineritë mund të programohen për të gjetur para, por kjo nuk ndodh sepse ato operohen nga agjentë të sigurisë së aeroportit që janë përgjegjës për sigurinë e pasagjerëve, jo nga zyrtarët e doganave dhe emigracionit.

Larvin dhe shoqëruesja e saj e udhëtimit u ulën në ndjeëset e klasit të biznesit dhe mbajtësit e bagazheve i vendosën valixhet e tyre poshtë tyre në stendë. Udhëtimi shkoi pa probleme.

Jo-Emma Larvin në premierën e një filmi në Londër në 2010

Arkëtimi

Në tetor 2020, dy gra të tjera nuk ishin aq me fat. Ata u morën në pyetje në një portë nisjeje në ‘Heathrow’ nga oficerët e Forcave Kufitare, agjencia përgjegjëse për doganat dhe emigracionin në Mbretërinë e Bashkuar. Një nga gratë u tha oficerëve se kishte marrë me vete pesë valixhe për në Dubai sepse nuk ishte e sigurt se çfarë të vishte.

“Oh Zoti im. Na kanë kapur,” i dërgoi gruaja mesazh Clarke, e cila ishte në Dubai.

“Çfara dreqin po thua.”

Valixhet u shkarkuan nga avioni. Ato përmbanin gati 2 milionë paund në para, rreth 2.4 milionë dollarë. Ata gjithashtu kishin video të shënimeve që sipas hetuesve  kishin për qëllim të ishin si provë të transfertave të parave për klientët e pastrimit të parave. Autoritetet identifikuan një grua në video si një tjetër anëtare të grupit të kontrabandës nga një tatuazh në parakrahun e saj.

Hetuesit kontrolluan telefonin e njërës prej grave dhe nga ai informacion filluan të grumbullonin sesi operacioni i pastrimit të parave të Alfalasit u rrit në 36 korrierë ndërkombëtarë.

Në dhjetor 2020, Clarke u arrestua me rreth 9 milionë dollarë ar në një avion privat në Zanzibar, në brigjet e Tanzanisë, tha Truby, oficeri i lartë hetues në këtë rast.

Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar arrestuan tetë korrierë të tjerë të dyshuar në maj 2021. Shtatë muaj më vonë, Alfalasi papritur vizitoi Londrën me gruan dhe fëmijët e tij, duke qëndruar në një apartament në pronësi të familjes së gruas së tij në një shesh ekskluziv të Belgravia.

Një ditë rreth orarit të drekës, hetuesit e qeverisë trokitën në derën e Alfalasit. Ata sekuestruan tre telefona ku zbuluan hollësi të operacionit të tij, të cilat më pas u shfaqën në dokumentet e gjykatës.

Pako me para të gatshme u gjetën në një valixhe pas një arrestimi në aeroportin Heathrow

Përpara çdo udhëtimi, Clarke i dërgonte Alfalasit fotografi të pasaportave të udhëtarëve që të mund të blinte biletat e tyre të linjës ajrore. Ai i rezervoi ato në çifte në klasën e biznesit të Emirateve për të përfituar nga lejimi i bagazheve shtesë. Korrierët e tij ktheheshin më pas në klasë ekonomike. Alfalasi pagoi me kartën e tij të kreditit dhe mblodhi kilometrat ajrore.

Clarke pagoi korrierët për punën si dhe disa shpenzime, si testet Covid, nga llogaria e saj bankare në Mbretërinë e Bashkuar.

Alfalasi organizoi marrjen e parave nga klientët në mbarë Mbretërinë e Bashkuar dhe menaxhoi logjistikën e numërimit dhe paketimit të parave. Ai mori si tarifë rreth 10% të totalit. Në Dubai, ai i shkëmbeu kartëmonedhat paund në ar dhe në monedhën vendase përmes bankave, këmbyesve të parave dhe në transaksioneve në parkingje.

Truby, hetuesi i lartë në këtë çështje, tha se dyshonte se Alfalasi dhe operativët e tij kontrabanduan deri në 250 milionë dollarë nga viti 2017 deri në arrestimin e tij në dhjetor 2021. Prokurorët thanë se paratë erdhën nga veprimtari kriminale. Alfalasi nuk i identifikoi kurrë klientët e tij, sipas autoriteteve.

Alfalasi u deklarua fajtor në qershor 2022 për pastrim parash dhe u dënua me 9 vjet e 7 muaj burg. Qeveria sekuestroi rreth 3.5 milionë paund të aseteve të Alfalasit, duke përfshirë një ‘Mercedes G63’, një kamionçinë ‘Ford’ dhe tre ora ‘Rolex’. Avokati i tij tha në gjykatë se Alfalasi ishte një punonjës i përdorur nga të tjerë të niveleve më larta, njerëz të cilëve Alfalasi nuk ua përmendi kurrë emrat.

Udhëtarët që kalojnë nëpër Terminalin 5 në Aeroportin Heathrow në Londër

Clarke është nën hetim në Dubai për pastrim parash. Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar do donin ta pyesnin atë dhe të tjerët në Dubai për përfshirjen e tyre të supozuar. Burri i Clarke krijoi një kompani kriptomonedhash që sponsorizonte ndeshje boksi në një arenë në Dubai. Tre nga korrierët u dënuan me burg dhe një u shpall i pafajshëm. Një korrier që fluturoi 5 milionë dollarë në gusht 2020 vdiq nga vetëvrasja. Autoritetet thanë se telefoni i tij përmbante tekste me hollësi rreth operacionit.

Larvin dhe Johnson u shpallën fajtorë për pastrim parash vitin e kaluar. Në gjykatë, ata kërkuan të fajësonin zyrtarët e aeroporteve ‘Heathrow’ dhe atij në Dubai si dhe ‘Emirates Airline’ pse nuk u kishin bërë pyetje. Çifti dhe disa korrierë të tjerë morën dënime me kusht. Dy korrierë të tjerë u dënuan në janar dhe janë planifikuar të burgosen më vonë këtë muaj.

Johnson tha në tekstet për The Wall Street Journal se ai dhe Larvin ishin dy njerëz të zakonshëm që u mashtruan dhe fajësoi korrupsionin dhe politikën që lejuan kaq shumë para të kalonin nga aeroporti ‘Heathrow’ në Dubai pa u zbuluar.

Nëse ajo që ata bënë ishte një krim kaq i madh, tha Johnson, pse aeroportet nuk i skanojnë bagazhet për para?

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani