Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Shërbimet online të bankave janë ku thërret qameti


Kryeministri Edi Rama po prezanton sot nismën e Revolucionit Digjital për bankat e nivelit të dytë për të lehtësuar klientët dhe sipërmarrjen nga pengesat e vonesat e shërbimeve.

Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se ne “jemi ku thërret qameti” në shërbimet online të bankave.

“Ne jemi këtu për t’ju thënë që Shqipëria nuk mund të jetë në një vend aq të lartë në klasifikimin e përgjithshëm duke lënë pas dhe vende të zhvilluara dhe natyrisht kjo është mrekullia e teknologjisë që i jep mundësinë një vendi që është në zhvillim apo ka prapambetje që të bëjë kapërcime të mëdha në njësi kohe të shkurtër. Nga ana tjetër jemi ku thërret qameti në shërbimet online të bankave.

Çdo muaj, saktësisht në datën 14, shumë sipërmarrje shkojnë në banka për të paguar TVSH. Prap me datë 20 shkojnë për të paguar sigurime shoqërore, një ritual që nuk besoj që dhe juve ju vjen mirë ta keni, është konsum nervash, imazhi në tërësi, i denjë për vite e vite. Duke qenë se qytetarët sot kanë të gjithë aksesin e lehtë dhe shpejtësinë e marrjes së shërbimit nga e-albania, është normale që të ankohen për bankat, qoftë qytetarët, qoftë sipërmarrjet.

Nuk ka pse të niset për tek dera e bankës për të paguar për një shërbim publik, por njësoj siç bën e-albania, mund të kryejë dhe pagesën po aty, dhe kjo mund t’i konfirmohet në kohë reale. Ky është një transformim që nuk është koha ta diskutojmë, por ta bëjmë.”– tha Rama.

Ai iu drejtua drejtuesve të bankave tregtare duke thënë se duhet të ngrejnë një grup pune në mënyrë që të shtohen shërbimet online.

“Duhet të bëheni shembull i përfitimeve nga ky revolucion duke bërë secili pjesën e vet. Është momenti që të ngrihet një grup pune që ka filluar punën mes nesh dhe Bankës së Shqipërisë, jeni të mirëpritur që t’i bashkoheni me një figurë që është pjesë e këtij mentaliteti për të cilin po flasim dhe duhet të thjeshtojmë procedura, të reduktojmë dokumenta e të bëjmë maksimumin që jeta e qytetarëve të lehtësohet maksimalisht. Pastaj mbetet vetëm stresi ku ulen para jush dhe kërkojnë kredi që thonë njësoj si dhimbjet e lindjes në maternitet. Kjo është e juaja dhe është pushteti juaj mbi popullin.”– tha Rama.

Në këtë takim marrin pjesë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.