Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania tregon kushtet për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë


Sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Rusisë për ofensivën e saj ushtarake në Ukrainë nuk do të hiqen nëse Moska nuk tërheq trupat e saj nga vendi fqinj, tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

Në një intervistë me Bild të dielën, Baerbock shpjegoi se ‘një armëpushim mund të jetë vetëm hapi i parë’ kur bëhet fjalë për heqjen e sanksioneve.

“Është e qartë për ne se sanksionet mund të hiqen vetëm nëse Rusia tërheq trupat e saj”, tha ajo, duke shtuar se ‘paqja me kushtet e diktuara nga Rusia’ nuk do të sjellë siguri në Ukrainë apo Evropë.

“Në rastin më të keq, do të ishte një ftesë për luftën e ardhshme edhe më afër kufijve tanë.”

Baerbock tha se sulmi rus ndaj Ukrainës ka “shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme” paqen në Evropë dhe se “nuk ka kthim prapa” në kohët para 24 shkurtit, kur presidenti rus Vladimir Putin shpalli “operacionin ushtarak special”, pavarësisht garancive të mëparshme nga qeveria e tij se nuk ishte planifikuar asnjë sulm kundër Ukrainës.

“Nuk mund të mbështetemi më kurrë vetëm në premtimet e Putinit”, tha Baerbock. Ajo shtoi se komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë për të siguruar që Ukraina të jetë mjaft e fortë për të marrë vendimet e veta.