Vendosni fjalën kyçe....

Berisha paralajmëron Vuçiçin: Do kesh fatin e Putinit për çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës, kosovarët do bëhen me dyshtetësi


Sali Berisha thotë se çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do të përballet me reagimin e kombit, duke i përcjellë kështu një mesazh presidentit serb Aleksandar Vuçiç, të cilin e paralajmërojë se do ketë fatin e Putinit.

Berisha tha se Rama e ka kthyer Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohtë të Serbisë ndaj Kosovës.

Ai premtoi shtetësi për të gjithë kosovarët.

“A e dini ju miqtë e mi se në tryezat diplomatike të nivelit më të lartë, kryeministra, kryetarë shtetesh hapin sytë kur e dëgjojnë Edi Ramën të flasë për Aleksandar Vuçiçin me aq pasion, njeriun që nuk njeh gjenocidin e sanksionuar nga dy vendime gjykatash në Bosnjë. Njeriun që nuk njeh gjenocidin në Kosovë, njeriun që punon haptas për Serbinë e Madhe. Ne jemi dhe do jemi për bashkëpunim rajonal. Ne jemi dhe do bëjmë gjithçka për paqen dhe stabilitetin në rajon, por ne kurrë nuk mund ta shndërrojmë Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohtë ndaj Kosovës. Ne s’do pranojmë kurrë Ballkanin e Hapur, një aleancë trilaterale antishqiptare. Një aleancë e cila është fund e krye në shërbim të Serbisë së Madhe.

Një Aleancë e cila është në shërbim të influencës ruse në rajon. Koha po provon se miku u ngushtë i Ramës, Aleksandar Vuçic, në fakt padroni i tij absolut, ka rikthyer Serbinë me politikën e tij ashtu siç ka qenë 100 vite më parë, një Rusi e vogël në rajon. Megjithatë ne jemi këtu prapë në këmbë, për t’i thënë këtij serbomadhi se çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do të përballet me reagimin e kombit shqiptar si komb i vetëm. Ka ikur koha kur ne na impresionin. Asgjë nuk na impresionon ne. Doni paqe, bashkëpunim jemi të hapur. Kërcënimet mbaji për vete se atë fat që do pësojë Putini në Ukrainë do ta kesh dhe ti në çdo aventurë tënden në Kosovë dhe kudo tjetër.”– tha Berisha.

Ish-kryeministri garantoi diasporën dhe emigracionin se me ardhjen e PD-së në pushtet, Shqipëria nuk do votojë më kurrë pa votën e tyre. Po ashtu premtoi të nënshkruhet një marrëveshje që qytetarët e Kosovës të gëzojnë shtetësinë shqiptare apo dyshtetësi si qytetarët që jetojnë këtu.

“Ne jemi një komb ku ¾ e shqiptarëve banojnë jashtë Shqipërisë, përveç Kosovës që kanë në shtetin e tyre dhe Mal të Zi, miliona shqiptarë jetojnë në Europë, SHBA, Afrikë, Alaska e kudo. Sot me gjithë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm Shqipëria mban një qëndrim ndaj tyre të ngjashëm deri diku me qëndrimin që mbante diktatura hoxhiste. Nuk i ndalon të vijnë në Shqipëri, por sot jemi vendi i vetëm në Europë që nuk i lejojmë të votojnë për vendin e tyre emigrantët, të marrin pjesë në votime siç votojnë bashkatdhetarët e të gjitha vendeve të tjera kudo që janë. Në 2013 ne e dërguam ligjin për votimin e emigracionit dhe diasporës, Edi Rama nxori karton të kuq, do bojkotoj zgjedhjet. Unë garantoj diasporën dhe emigracionin se Shqipëria nuk do votojë më kurrë pa votën tuaj, se ne dhe ju së bashku do mbushim rrugët dhe sheshet e Tiranës për të drejtat e patjetërsueshme të shqiptarëve kudo që janë.
Shqiptarët kudo që janë do të kenë shtetësi shqiptare. Shqiptarët në Kosovë me një marrëveshje me qeverinë e Kosovës do të gëzojnë këtë shtetësi apo dyshtetësi njëlloj si qytetarët shqiptarë këtu apo në Kosovë.”– tha Berisha.