Vendosni fjalën kyçe....

Gjenerali akuzon kryeministrin britanik: Po zbulon sekrete ushtarake, të mendohet ca kur të flasë


Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, po ‘josh të keqen’ me deklaratat e tij për stërvitjen e trupave ukrainase jashtë vendit në mes të konfliktit me Rusinë, tha të premten gjenerali polak Waldemar Skrzypczak, i cili këshillon ministrin e Mbrojtjes të vendit të tij.

Gjatë një vizite në Indi në fillim të kësaj jave, Johnson u tha gazetarëve se ‘ne po stërvisim ukrainasit në Poloni për përdorimin e mbrojtjes kundërajrore dhe në Britani për përdorimin e automjeteve të blinduara’.

Skrzypczak, i cili drejtoi një nga divizionet shumëkombëshe në Irak në mesin e viteve 2000, i tha gazetës polake ‘Fakt’ se ‘kur ishim në misione jashtë vendit ishte e vështirë të imagjinohej që një nga politikanët do të fliste për planet tona ose stërvitjen në televizion’.

Duke bërë komentet, Johnson ‘zbulon sekrete ushtarake’ për Rusinë, tha gjenerali.

“Stërvitja është një çështje ushtarake dhe duhet të mbahet e fshehtë. Burri duhet të mendojë përpara se të thotë gjëra të tilla.” – shtoi ai.

Ish-komandanti i forcave tokësore të Polonisë e quajti sjelljen e kryeministrit ‘jashtëzakonisht të papërgjegjshme’, duke paralajmëruar se mund të çojë në ‘pasoja katastrofike’.

“Kryeministri mund të mos jetë i vetëdijshëm për këtë, por me deklarata të tilla ai rrezikon suksesin e të gjithë operacionit ushtarak, si dhe sigurinë e ushtarëve.” – tha Skrzypczak.

Britania ka qenë një nga mbështetësit dhe furnizuesit kryesorë të armëve të Ukrainës në mes të konfliktit të vazhdueshëm. Londra tashmë ka dërguar sisteme raketore antitank dhe antiajror dhe mjete të blinduara në Kiev, ndër të tjera.

Në fillim të këtij muaji, Johnson bëri një vizitë të papritur në kryeqytetin ukrainas për t’u takuar me Presidentin Volodymyr Zelensky dhe për ta siguruar personalisht atë për mbështetjen e Londrës.

Përveç stërvitjes së trupave ukrainase në Poloni dhe në tokën britanike, ushtarakët e Mbretërisë së Bashkuar u vendosën në Kiev, ku ata po stërvisin forcat vendase të përdorin raketat antitank britanike NLAW, sipas ‘The Times’.

Të shtunën, një burim i mbrojtjes tha për RIA Novosti se të paktën dy ekipe nga forcat elitare të Shërbimit Ajror Special të Mbretërisë së Bashkuar (SAS) arritën në një bazë ushtarake pranë qytetit të Lviv në Ukrainën perëndimore. Thuhet se ata po punojnë për të përmirësuar efektivitetin e grupeve të sabotimit ukrainas që veprojnë në zonat e kontrolluara nga ushtria ruse.