Vendosni fjalën kyçe....

Australia paralajmëron Pekinin për ‘vijën e kuqe’: S’mund të lejojmë bazë ushtarake kineze afër nesh


Kryeministri australian Scott Morrison deklaroi të dielën se një bazë ushtarake kineze në Ishujt Solomon do të ishte një ‘”vijë e kuqe’ e papranueshme, pa treguar mënyrën se si Canberra do hakmerrej.

Qeveria e Morrison dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen t’i përgjigjen një marrëveshjeje sigurie të nënshkruar së fundmi midis Ishujve Solomon dhe Pekinit, të cilën ata e konsiderojnë një veprim ‘agresiv’.

“Duke punuar së bashku me partnerët tanë në Zelandën e Re dhe natyrisht me Shtetet e Bashkuara, unë ndaj të njëjtën linjë të kuqe që kanë Shtetet e Bashkuara kur bëhet fjalë për këto çështje.” – tha Morrison.

“Ne nuk do të kemi baza detare ushtarake kineze në rajonin tonë, në pragun tonë.” – shtoi Morrison.

Një arkipelag i vogël i vendosur rreth 2,000 km larg bregut verilindor të Australisë, Ishujt Solomon u bënë lajm ndërkombëtare javën e kaluar kur nënshkruan një pakt sigurie me Kinën. Marrëveshja përcakton se Kina mund të ndihmojë në ruajtjen e rendit shoqëror ndërsa lejon anijet luftarake të Kinës të ankorohen në portet e saj.

Kryeministri i Ishujve Solomon Manasseh Sogavare këmbëngul se marrëveshja ishte e nevojshme për të forcuar sigurinë dhe ishte ‘”udhëhequr nga interesat kombëtare’. Ai deklaroi javën e kaluar se marrëveshja nuk e lejon Kinën të krijojë një bazë ushtarake në ishuj, diçka që e ka theksuar edhe Pekini.

Në një deklaratë të përbashkët, SHBA, Japonia, Australia dhe Zelanda e Re thanë se pakti paraqet ‘rreziqe serioze për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur’ dhe Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se ‘nëse ndërmerren hapa nga Kina për të krijuar një prania ‘de facto’ të përhershme ushtarake ose një bazë ushtarake, Shtetet e Bashkuara atëherë do të kishin shqetësime të rëndësishme dhe do të përgjigjeshin në përputhje me rrethanat’.

Pëgatiti për Hashtag.al, K.Manjani