Vendosni fjalën kyçe....

Eksploziv në derën e biznesit të policit të “Shqiponjave” në Durrës, flet i vëllai: Habitemi pse ka ndodhur


Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në orën 22:20 në Durrës, ku një sasi eksplozivi ishte vendosur në derën e dyqanit të efektivit të Policisë Hysen Gashi, 54 vjeç.

Për fat të mirë, në momentin kur ka ndodhur shpërthimi nuk ka pasur asnjë person të pranishëm në objektin ku tregtohej ushqim për kafshët.

“Rreth orës 22:20, në fshatin Katund i të Ri, Durrës, në derën e jashtme të dyqanit të shtetasit H. G., 54 vjeç, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse.

Si pasojë është dëmtuar vetëm qepeni i jashtëm i derës së dyqanit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.”– thuhet në njoftimin e Policisë.

Fqinjët dhe të afërmit e efektivit të policisë Hysen Gashi në fshatin Katund i Ri në Durrës janë shprehur të habitur për ngjarjen.

Vëllai i policit tha për televizionin “News 24” se nuk kanë asnjë konflikt si familje por dyshon se motiv mund të ketë qenë puna e 54-vjeçarit si efektiv i “Shqiponjave”.

“Habitemi si ka ndodhur, nuk i ka prish qejfin dikujt. Ne nuk kemi konflikte me askënd. Gruaja me djalin kishin shkuar te vajza në Rrashbull. Shpërthimi është dëgjuar aq shumë sa dhe një atje në Çermë ka pyetur çfarë ishte ai shpërthim.”– tha vëllai i efektivit.