Vendosni fjalën kyçe....

Rusët marrin nën kontroll qytetin lindor të Ukrainës, Kreminna


Rusët kanë marrë nën kontroll qytetin lindor të Ukrainës, Kreminna. Kështu tha në një konferencë të martën, Serhii Haidai, i cili është kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Luhanskut.

“Kremina është nën kontrollin e ‘orkëve’. Ata kanë hyrë në qytet.”- tha Haidai.

Fjala “orc” i referohet racës së elfëve të luftëtarëve brutalë në fantazinë e autorit të “The Lord of the Rings”, John Ronald Reuel Tolkien, dhe është një term nënçmues i përdorur zakonisht në Ukrainë për të përshkruar ushtrinë ruse.

Haidai shtoi se trupat ishin tërhequr nga qyteti dhe kishin zënë pozicione të reja.

Sipas guvernatorit ushtarak evakuimi i civilëve vazhdon ndërsa Rusia sulmon “nga të gjitha drejtimet në mënyrën e bombardimeve masive, bombardimeve intensive, bombardimeve ajrore në të gjitha linjat mbrojtëse”.

Ai vlerëson se rreth 350 mijë njerëz jetonin në rajon përpara se të vinte pushtuesi rus. Ai beson se vetëm rreth 70 mijë kanë mbetur.

“Ata ose janë larguar vetë ose me ndihmën e vullnetarëve ose organizatave fetare … Ata do të shkojnë në perëndim të Ukrainës.”- tha Haidai sipas CNN.

“Njerëzit mund të vendosin nëse duan të shkojnë në Evropë dhe të marrin statusin e refugjatit ose nëse duan të gjejnë një punë aty ku janë, ose nëse duan të presin deri në fitoren dhe fundin e okupimit dhe të mund të kthehen në shtëpitë e tyre… Nëse ato shtëpi janë ende në këmbë. Nëse jo, qeveria po zhvillon një program për ndërtimin e përshpejtuar.”– vazhdoi ai, duke shtuar se bombardimet ruse kishin “shkatërruar pothuajse të gjithë infrastrukturën kritike” dhe se ishte “e pamundur” të rivendoseshin furnizimet me ujë dhe energji elektrike.

Lidhur me numrin e vdekjeve të civilëve, Haidai tha se ishte “e pamundur” të jepej një numër.