Vendosni fjalën kyçe....

Toyota zbulon planet për teknologjinë e re të baterive, makinat do ecin deri 1000 km me një karikim


Toyota Motor tha se do prezantojë bateri me performancë të lartë, në gjendje të ngurtë dhe teknologji të tjera për të përmirësuar gamën dhe performancën dhe për të ulur kostot e automjeteve të saj elektrike.

Prodhuesi japonez i makinave tha se synon të nisë bateritë e brezit të ardhshëm nga viti 2026, duke kërkuar të fitojë konsumatorët me mjete që ofrojnë largësi më të gjata udhëtimi dhe kohë më të shpejtë karikimi.

Ajo tha gjithashtu se po zhvillonte një metodë për prodhimin në masë të baterive në gjendje të ngurtë, të cilat synon t’i tregtojë në 2027-2028.

Njoftimi, i cili erdhi një ditë përpara mbledhjes vjetore të aksionerëve të Toyota-s, ku strategjia dhe qeverisja do të jenë nën vëzhgim, arriti në zbulimin më të plotë të strategjisë së prodhuesit të automjeteve për të konkurruar në tregun me rritje të shpejtë për makinat elektrike, ku ka mbetur pas rivalëve.

Prodhuesi i automjeteve tha se do prodhonte një makinë elektrike me një bateri më efikase litium-jon, që do mund të udhëtonte rreth 1,000 km. Për krahasim, modeli me rreze të gjatë i Teslas, modeli Y më i shitur në botë, mund të ecë për rreth 530 km bazuar në standardet e testimit të SHBA-së.