Vendosni fjalën kyçe....

Mediu pas konsultimit me maxhorancën: Opozita të negociojë si një trup i vetëm për zgjedhjen e Presidentit të ri


Kreu i PR-së, Fatmir Mediu ka dalë sot në një deklaratë për mediat për të folur lidhur me procesin e konsultimit me maxhorancën për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Në fjalën e tij, Mediu tha se procesi duhet të synojnë konsensusin.

“Presidenti i Republikës ka një rol të rëndësishëm Kushtetues. Kushtetuta e Republikës përcakton rolin dhe përzgjedhjen e Presidentit. Ai përfaqëson unitetin e popullit. Duhet një President mbi palët politike. Ky nen përcakton qartësisht për zgjedhjen me konsensus të Presidentit. Zgjedhja me shumicë të thjeshtë përcaktohet si nevojë për të shmangur krizat politike. Procesi duhet të synojë koncensusin e jo ndarjen politike. Nisur nga sa më sipër, në emër të grupit Aleanca për Ndryshim, propozoj që opozita duhet të sigurojë një proces konsensual.

Duhet të negociojë si një trupe e vetme. Kjo ka qenë edhe praktika qe kemi ndjekur në vitin 2002 e 2007. Në këto negociata të përcaktohen kriteret. Propozimi dhe përzgjedhja nga fusha e politikës dhe akademike do të jetë një nisje e mirë për negociatat. Duhet garantuar një proces serioz dhe të shmangë një proces qesharak që dëmton rolin e Presidentit dhe funksionit Kushtetutës.”- tha Mediu.

Kreu i PR-së theksoi se opozita ka detyrimin për të ofruar një “proces konsensual” dhe sipas tij për këtë ka nevojë të negociojë si një “trupë e vetme” me një përfaqësi “që duhet rënë dakord si trup negociimi me përfaqësi të plotë të mandatit opozitar”.

Mediu deklaroi se të gjitha palët duhet të mendojnë përtej interesit personal: “Unë mendoj që interesi është se çfarë negociojmë dhe çfarë negociojmë. Është shumë e rëndësishme që duke nisur nga praktikat e mëparshme ne kemi një grup. Si do të procedohet më tej shpresoj të kemi një mirëkuptim të nevojshëm. Mendoj se të gjithë duhet të mendojë përtej interesit personal. Referuar historisë së zgjedhjes së presidentit, ju rikujtoj që në vitin 2002 përfshimë në tryezë edhe përfaqësues të maxhorancës. Në këtë tryezë zgjodhëm përfaqësi të forcave që nuk ishin në një linjë.

Edhe në vitin 2007 bashkë me zotin Ndoka kemi thirrur një tryezë opozitare në fillim. Unë mendoj që opozita ka detyrim përballë qytetarëve jo përballë socialistëve. Përballë këtij detyrimi duhet të përfshihemi në proces.”

Ai deklaroi se nëse PS bën veprime të njëanshme kjo është përgjegjësi e saj. 

“Nëse PS bën veprime të njëanshme është përgjegjësi e saj. Unë nuk e kam rolin e piktorit akoma. Përcaktohen disa fusha të rëndësishme për rolin e presidentit të republikës. Mund të ketë edhe fusha të tjera që plotësojnë kriteret për të qenë president i republikës. Ka njerëz që e duan këtë vend dhe mund të qëndrojnë mbi palët.

Ka shumë supozime që ju bëni. Jam më i interesuar për procesin. Opozita nuk duhet të presë se çfarë do sjellë në tryezë Partia Socialiste. Duke konsideruar të gjithë problematikën dua të kujtoj që në vitin 2002 një nga kërkesat e faktorit ndërkombëtar ishte zgjedhja me konsesus. Është përgjegjësi të tejkalojmë numrat dhe të arrijmë në një president konsesual.”– u shpreh ai.