Vendosni fjalën kyçe....

Rusia: Ukraina ka humbur nga lufta mbi 23 mijë trupa që prej shkurtit


Rusia ka dhënë versionin e saj mbi numrin e viktimave të luftës në Ukrainë. Siç raporton RT, Ministria e Mbrojtjes në Moskë ka deklaruar të shtunën se Ukraina ka pësuar “humbje të pakthyeshme” prej 23 mijë e 367 trupash që kur Rusia nisi ofensivën e saj ushtarake në shkurt.

Shifrat e viktimave u zbuluan nga zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov, i cili tha se vetëm në qytetin e Mariupolit Ukraina ka humbur më shumë se 4000 njerëz, duke përfshirë këtu sipas tij “mercenarë të huaj” dhe “nazistë” të lidhur me regjimentet famëkeqe Azov dhe Aidar.

Konashenkov tha se Rusia ka marrë dokumente që vërtetojnë humbjet e Ukrainës dhe së shpejti do të publikojë informacione më të detajuara nga këto dosje.

Ukraina nga ana tjetër pretendon se ka humbur midis 2 500 dhe 3 000 ushtarë në të gjithë territorin e saj. Kjo ishte shifra që Zelensky dha për CNN në një intervistë të premten, ndërsa pretendoi se ushtria ruse kishte pësuar deri në 20 000 viktima. Por Moska i kundërshton pretendimet e Zelensky-t. Sipas një numërimi të viktimave të publikuara nga qeveria ruse muajin e kaluar, Rusia kishte humbur pak më shumë se 1350 trupa.

Në një deklaratë, gjenerali akuzoi Zelensky-n për fshehjen e shkallës së vërtetë të humbjeve të Ukrainës, duke thënë se presidenti “ka frikë t’i tregojë popullit të Ukrainës” se sa ushtarë janë humbur.

Konashenkov tha se gjatë ditës, forcat ruse nisën sulme me raketa me precizion të lartë në gjashtë vende të pajisjeve ushtarake të Ukrainës dhe shtatë bastione të trupave, ndërsa mjetet ajrore ruse shkatërruan 67 vende të trupave dhe pajisjeve.

Konashenkov shtoi se forcat ruse rrëzuan një aeroplan transporti ushtarak ukrainas pranë Odessa-s. Avioni “po dërgonte një grup të madh armësh të furnizuara Ukrainës nga vendet perëndimore”. Rusia kishte deklaruar më parë se dërgesat e tilla të armëve të huaja do të konsideroheshin “objektiva legjitime” nga forcat e saj dhe do të sulmoheshin.