Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk deklaroi aksionet në kohë”- Elon Musk paditet nga një aksioner i “Twitter”-it



Elon Musk është paditur pas blerjes së aksioneve në “Twitter”. Një investitor i rrjetit social Marc Rasella, ka akuzuar themeluesin e “SpaceX“ se i ka shkaktuar humbje parash nëpërmjet “deklaratave mashtruese” rreth blerjes së një aksioni të madh në “Twitter” të martën.

Paditësi pretendon se ai nuk do t’i kishte shitur aksionet e tij me “çmime të shpifura artificialisht” nëse Musk do ta kishte bërë publike blerjen e tij më shpejt, siç kërkohet nga ligjet federale të tregtisë së SHBA.

Ligji kërkon që çdo investitor që tejkalon 5% të aksioneve në çdo kompani, të njoftojë Komisionin e Letrave me Vlerë (SEC) brenda 10 ditëve. Sipas padisë, Musk e kapërceu këtë prag më 14 mars dhe duhet të kishte njoftuar SEC më 24 mars, por siç shkruan RT nuk e bëri publike lëvizjen deri më 4 prill, kur tha se bleu 9.2% të aksioneve të “Twitter”.

Lajmi bëri që çmimi i aksionit të Twitter të rritet me 27%, nga 39.31 dollarë në 49.97 dollarë dhe më vonë kapërceu një prag prej 50 dollarësh. Paditësi thotë se ai shiti 35 aksione të tij në Twitter për 1 mijë e 373 dollarë, ose një çmim mesatar prej 39.23 dollarë, pasi Musk kishte blerë aksionet e tij, por përpara se të bënte njoftimin.

Padia pretendon se Musk ka kursyer rreth 143 milionë dollarë për shkak të vonesës së depozitimit të njoftimit në SEC, ndërsa disa raporte të mediave amerikane e vlerësojnë këtë shumë në 156 milionë dollarë. Musk është bërë aksioneri më i madh i kompanisë së mediave sociale me 9.2% të aksioneve të tij.