Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada ruse hedh poshtë paralajmërimet e Ned Price se Rusia mund të përdorë armë kimike


Ambasada ruse në SHBA ka kritikuar ato që i quan “deklarata provokuese” nga zyrtari i qeverisë amerikane Ned Price dje, i cili paralajmëroi se Rusia mund të përdorë armë kimike në Ukrainë.

Ambasada ruse në Uashington hodhi poshtë si të pabaza pretendimet e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, për mundësinë e përdorimit të armëve kimike nga Rusia në Ukrainë.

“Ne morëm parasysh deklaratat provokuese të bëra nga Sekretari i Shtypit i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve Ned Price në një konferencë më 12 prill se vendi ynë mund të përdorë armë kimike në dritën e dështimeve të supozuara të operacionit ushtarak special në Ukrainë.”-thuhet në një deklaratë të ambasadës, citon TASS.

“Ned Price u dallua edhe një herë nga fjalimet e tij të kota, të pa vërtetuara me asnjë provë të vetme.”- vijon reagimi.

Diplomatët vunë në dukje se forcat e armatosura ruse “nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë agjent lufte kimik” në dispozicion, sepse Rusia i eliminoi të gjitha rezervat e armëve kimike në vitin 2017.

“Informacioni i konfirmuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes për përgatitjen e provokimeve nga radikalët ukrainas me përdorimin e kimikateve është shqetësues. Kemi pyetje edhe për origjinën e këtyre substancave.

Ne i bëjmë thirrje Uashingtonit të ndalojë përhapjen e dezinformatave. Në vend të kësaj, kolegët duhet të kishin intensifikuar procesin e demilitarizimit kimik të vendit të tyre. Shtetet e Bashkuara mbeten i vetmi shtet palë në Konventën e Armëve Kimike që nuk ka përmbushur angazhimet ndërkombëtare që ka marrë.”- thuhet në deklaratë. “Arsenali amerikan i armëve të këtij lloji përbën një kërcënim real për njerëzimin”.

Ky reagim vjen pasi Price u tha gazetarëve të martën se “Rusia mund të kërkojë të përdorë armë kimike” gjatë operacionit të saj special ushtarak në Ukrainë.