Vendosni fjalën kyçe....

Lavrov: Nuk ka arsye për t’i dhënë fund bisedimeve me Ukrainën


Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se vendi i tij nuk sheh asnjë arsye për t’i dhënë fund bisedimeve të paqes me Ukrainën, pavarësisht ndryshimeve të vazhdueshme të qëndrimit të Kievit.

“Unë nuk shoh ndonjë arsye pse ne nuk mund të vazhdojmë (bisedimet), megjithëse pala ukrainase ndryshon krejtësisht çdo herë, ndonjëherë me 180 gradë, duke hedhur poshtë atë që ofroi”, tha Lavrov në një intervistë për kanalin televiziv rus ‘Rossiya 24’, përcjell AA.

Qëllimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, të cilën Moska e quan “operacion special”, sipas shefit të diplomacisë ruse, është t’i japë fund dominimit perëndimor në botë.

“Operacioni ynë special ushtarak është përcaktuar për t’i dhënë fund zgjerimit dhe kursit të pamatur drejt dominimit të plotë të SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore në arenën ndërkombëtare”, tha Lavrov.

Ai theksoi se një dominim i tillë bazohet në “shkeljet e rënda të ligjit ndërkombëtar”.

Duke komentuar komentet e fundit të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, se lufta në Ukrainë “duhet të fitohet në fushën e betejës”, Lavrov tha se komente të tilla nga një diplomat i lartë mund të të jenë vetëm rezultat i një “inati personal” ose “gabim në të shprehur”.

Ai tha se deklarata e Borrell-it përfaqëson “një kthesë shumë serioze” në politikën perëndimore ndaj Rusisë, thelbi i së cilës është “ta bëjë Ukrainën një trampolinë për shtypjen dhe nënshrimin përfundimtar të Rusisë” ndaj dominimit perëndimor.

Lavrov tha se vrasjet e civilëve në qytetin ukrainas Bucha, gjoja se nga forcat ruse para se të tërhiqen së fundmi nga kryeqyteti Kiev, ishin inskenuar dhe paralajmëroi se do të ketë provokime të ngjashme kundër Rusisë duke përdorur armë kimike në të ardhmen e afërt.

Ai theksoi se diplomatët rusë po punojnë në kushte të vështira në vende të tjera dhe po ashtu shprehu shqetësim për rusët që jetojnë jashtë vendit, të cilët sipas tij, rregullisht janë sulmuar.

“Situata me diskriminimin kundër rusëve ka treguar se korrektësia politike dhe konventat e tjera në Perëndim nuk ekzistojnë më. Është ashtu siç Hitleri mobilizoi shoqërinë e tij dhe vendet e tjera evropiane kundër hebrenjve”, tha Lavrov.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.793 civilë janë vrarë dhe rreth 2.500 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia filloi luftën më 24 shkurt, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se rreth 4.5 milionë ukrainasë kanë ikur jashtë vendit, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.