Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Do ngre Komitet në Presidencë për të zbardhur aferën e inceneratorëve. Bllako donte të bëhej kreu i KLSH pastaj iku te tenderat


Presidenti i Republikës Ilir Meta nga konferenca për shtyp e quajti aferën e inceneratorëve asgjë më pak se çka bërë mafia me plehrat në Siçili duke akuzuar qeverinë si përgjegjësen kryesore.

Meta tha se do ngrejë një komitet të ekspertëve në Presidencë për të zbardhur aferën e inceneratorëve.

“I ftoj të gjithë të bëhen të penduar dhe të tregojnë kush ju ka dhënë garanci për të shkelur ligjin.

Abuzimi me TVSH-në 30 milionë euro, të hetohen shkeljet ligjore. Veç burgosjes së përgjegjësive të aferës së inceneratorëve, është e rëndësishme që mbi 400 milionë euro abuzime të kësaj afere t’ju kthehen qytetarëve shqiptarë. Unë do të nis një komitet për zbardhjen sa më të parë të aferës së inceneratorëve. Nuk ka bërë asgjë më shumë mafia në Siçili sesa qeveria në këtë aferë. Do të mbledh ekspertët më të mirë që ta sqarojnë tamam këtë aferë. Përfituesit më të mëdhenj janë Rama dhe jo Stela, Zoto apo Mërtiri”, tha Meta.

Meta u pyet edhe për Alqi Bllakon i cili ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë gjatë kohës së mandatit të tij duke sqaruar se ishte vetëm pasi plotësonte kriteret e Shërbimit Civil për atë pozicion.

Presidenti tha se Bllako u largua nga Presidenca për të shkuar te tenderat.

Më tej ai zbuloi se Alqi Bllako donte të bëhej edhe kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Alqi Bllako nuk ka qenë bashkëpunëtor i imi dhe as militant i LSI. Ish-ministri Koka ka pasur lidhje personale me të dhe ai e afroi në ministrinë që ka drejtuar. Në Presidencë ka ardhur pasi plotësonte kriteret e shërbimit civil për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm. I sugjeroj Alqi Bllakos të bashkëpunojë me Drejtësinë dhe të ndihmojë zbardhjen e aferës së inceneratorëve. Alqi Bllako u largua te tenderat, donte të bëhej kryetar i KLSH .Të bashkëpunoje me drejtësinë qe të rehabilitohet”, u shpreh Meta.