Vendosni fjalën kyçe....

Transferim historik i pushtetit në Jemen


Pasi nuk arriti të qëndrojë në pushtet gjatë një lufte civile shtatëvjeçare, presidenti i Jemenit Abdrabbuh Mansur Hadi ka dhënë dorëheqjen, duke i dhënë autoritetin e plotë një këshilli prej tetë anëtarësh të udhëhequr nga ish-ministri i Brendshëm i vendit, Rashad al-Alimi.

“Unë i delegoj në mënyrë të pakthyeshme Këshillit Drejtues Presidencial kompetencat e mia të plota, në përputhje me Kushtetutën dhe Nismën e Gjirit dhe mekanizmin e saj ekzekutiv.” – deklaroi të enjten ish-udhëheqësi i Jemenit.

Ai shtoi se vendi tani po hyn në një ‘periudhë ndryshimi’, gjatë së cilës Këshilli do të duhet të negociojë një zgjidhje përfundimtare politike me rebelët Houthi.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të dyja palët kryesore të interesuara në konfliktin e Jemenit, kanë mirëpritur ndryshimin e pushtetit dhe kanë njoftuar vendimin e tyre për të ndarë 3 miliardë dollarë për të mbështetur ekonominë e Jemenit. Për më tepër, Riadi do shpenzojë 300 milionë dollarë për të financuar planin e reagimit humanitar të nisur nga OKB-ja, që synon ‘të zbusë vuajtjet e popullit jemenas’.

Njoftimi vjen disa ditë pasi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite dhe rebelët Houthi ranë dakord të vendosin një armëpushim të ndërmjetësuar nga OKB. Armëpushimi përkon me muajin e shenjtë mysliman të Ramazanit. Të gjitha armiqësitë, duke përfshirë në tokë, ajër dhe det, janë pezulluar që nga e shtuna.

Lufta civile e Jemenit shpërtheu në janar 2015, kur rebelët e armatosur Houthi rrëzuan qeverinë e Hadit, duke e detyruar presidentin të ikte në Arabinë Saudite. Ende i njohur nga komuniteti global, Hadi është përpjekur të rimarrë pushtetin duke përdorur ndihmën e huaj.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i mbështetur nga SHBA dhe Britania e Madhe, ka bombarduar gjerësisht vendin e shkatërruar nga lufta. Rreth 233,000 njerëz kanë humbur jetën në këtë konflikt.

Lufta e Jemenit është shoqëruar nga ajo që OKB-ja e cilësoi si ‘kriza më e keqe humanitare në botë’, me 20 milionë njerëz që vuajnë nga uria dhe kequshqyerja.