Vendosni fjalën kyçe....

SKANDALI NË VETTING – Si e shohin urrejtjen krahinore Dorian Matlija, Ylli Manjani dhe Lutfi Dervishi


Seanca në KPA për prokuroren Elisabeta Imeraj zbuloi një gamë të gjerë skandalesh ku përveç provave fiktive të përfaqësuesit të ONM-së dhe Komisionerit Publik, gjyqi zbuloi dhe qëndrimet raciste krahinore ndaj Imerajt prej anëtares së KPK-së, Genta Bungo.

Hashtag.al ka kontaktuar tre profesionistë të lirë duke iu drejtuar secilit prej tyre nga tre pyetje.

Më poshtë mund të lexoni qëndrimet mbi këtë çështje të avokatit Dorian Matlija, juristit Ylli Manjani si dhe gazetarit Lutfi Dervishi.

1 – Si u janë dukur raportimet e fundit për qëndrimet diskriminuese krahinore në procesin e Vettingut, të dala në procesin e Elisabeta Imerajt?

Avokati Dorian Matlija: Dukuria e dasisë krahinore është e hershme në Shqipëri dhe është nxitur akoma më shumë gjatë viteve 1992-1997, kohë kur politika vendase dominohej nga klane me origjinë veriore. E drejtë apo jo, situata ka prodhuar frustrim në atë kohë dhe mendoj që ka qenë një nga faktorët ndikues edhe në suksesin elektoral të së majtës në vazhdim. Thënë këtë, megjithëse kjo dukuri është e pranishme në turbullinë emocionale të shumë njerëzve të thjeshtë edhe sot, është e papranueshme që ky frustrim apo urrejtje të përbëjë bazë vendimmarrjeje në një prej organeve me detyrë delikate siç janë ata të Vettingut. Akoma më e rëndë është injorimi i faktit pasi u bë publik. Mënyra se si është “shitur” procesi i Vettingut, ka krijuar idenë në publik që po vlerëson meritat personale të gjyqtarëve e prokurorëve, të matshme këto mbi baza kriteresh objektive. Në sipërfaqe, kjo ide është dekoruar akoma më shumë nga prania e ndërkombëtarëve, të cilët janë marketizuar shumë fort si persona pa interesa të tjerë përveç përmirësimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në këto kushte, ndikimi i urrejtjeve personale ndaj një grupi identitar me bazë origjine, dhe indiferenca ndaj shfaqjes hapur të këtij ndikimi, paraqet procesin e Vettingut të korruptuar. Dhe me korrupsion nuk nënkuptoj thjesht rastin klasik të dhënies së parave nën dorë, por çdo faktor të mbrapshtë që cenon funksionimin normal të një procesi.

Juristi Ylli Manjani: Realitet diskriminues që dëmton paqen sociale dhe shtetin demokratik. Haptazi antikushtetutës dhe konventave të të drejtave themelore janë këto praktika.

Por denoncimet ishin të domosdoshme sepse ndihmojnë shoqërinë të kuptojë se në ç’realitet po jeton.

Diskriminimi krahinor nuk është vetëm tek vettingu por gjithandej për qëndrimet dhe sjelljen zyrtare të pushtetit. “Shpellarët”, “zaptuesit”, “veriorët”, “çeçenët”, etj janë etiketime të rënda që “justifikojnë” ndërhyrjet brutale të qeverisë. Kjo e fundit u merr liritë, të drejtat, pronat e çdo gjë këtyre të etiketuarve dhe njerëzia bie në paqe, për fat të keq!

Gazetari Lutfi Dervishi: Racizmi krahinor është prezent dhe jo vetëm në rastin e znj.Imeraj. Komisioneri për diskriminim duhet dhe mund të bënte më shumë! Të habit fakti që nuk ka reagim nga ato që duhet të reagojnë – vetë personat e përmendur, institucioni që përfaqësojnë!

Problemi kalon përtej dy rasteve të bëra publike nga vettingu. Është një ajsberg që i shohim majën dhe do të përplasemi me të nëse vijojmë të mbyllim sytë!

2 – Si shpjegohet që shoqatat e shoqërisë civile nuk kanë reaguar për këto raste?

Avokati Dorian Matlija: Mendoj se reagimet në rastet e tjera vijnë nga pjesa më e zhurmshme e shoqërisë civile dhe heshtja e tyre në këtë rast të bën përshtypje. Pjesa tjetër e shoqërisë civile punon pa zhurmë dhe zakonisht nuk është pjesë e reagimeve.

Pjesa e zhurmshme e organizatave të shoqërisë civile “ofendohen” siç dikton axhenda e donatorëve. Për shembull, nëse donatorët ngrenë shqetësimin dhe lëvrojnë fonde për gratë, atëherë këto shoqata janë shumë të zellshme të ofendohen dhe të reagojnë ndaj çdo lloj aspekti me bazë gjinore. Nëse donatorët vënë theksin te diskriminimi me bazë orientimin seksual, atëherë shoqatat do gjejnë plot sebepe për të treguar zellin e tyre në këtë fushë. Nëse nesër do dalin donatorë që do ofrojnë projekte për diskriminimin e veganëve, do shohim deklarata kundër qofterive të qytetit që ofendojnë veganët me erën provokuese të qofteve të pjekura në çast. Kështu funksionon pjesa më e zhurmshme e shoqërisë civile. Në këtë kontekst, nëse nuk ka ndonjë shqetësim të donatorëve për diskriminimin me bazë origjine, atëherë zelli është i ulët. Nëse, për më keq akoma, ky lloj diskriminimi vjen nga projekte të patronazhuara nga donatorët kryesorë, siç është edhe projekti i Vettingut, atëherë mos prisni reagime nga pjesa e zhurmshme. Besoj që ata që guxojnë të vënë në pikëpyetje Reformën në Drejtësi dhe bastin e ndërkombëtarëve mbi këtë reformë, nuk preferohen shumë nga ndërkombëtarët.

Juristi Ylli Manjani: Shoqatat janë organizime me NIPT jo bashkime vullnetesh.  NIPTI që të mbahet do para. Ndaj shoqatat i këndojnë parave, jo problemeve të shoqërisë, gjithashtu për fat të keq.

Gazetari Lutfi Dervishi: Shoqata të shoqërisë civile duket e kanë më të lehtë të reagojnë për çështje të përgjithshme pa adresë konkrete! Dmth i ngjanë pak maces që ecën mbi thëngjij të mbuluar!

3 – Çfarë mund të përmirësojë procesin e Vettingut?

Avokati Dorian Matlija: Përpara se t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje, do të duhet të njihen defektet e tij. Asgjë nuk mund të përmirësohet pa u pranuar paraprakisht se ka nevojë për përmirësim. Hapi i parë është që mbështetësit e reformës të ulin dozën e promovimit të procesit dhe të pranojnë se kanë nevojë të pyesin specialistët se çfarë nuk shkon. Me specialistë nënkuptoj praktikantët në sistemin e drejtësisë, ata që gjenden mes sistemit dhe qytetarit. Po u hodh ky hap, do kem plot për të thënë.

Juristi Ylli Manjani: Ka shumë gjëra që duhet të përmirësojë vettingu, por mbi të gjitha të garantojë rregullat e procesit të rregullt ku flitet mbi prova e jo supozime.

Por nuk duket se ka sy për të parë ndreqjen e kësaj gjëje.

Gazetari Lutfi Dervishi: Së pari vettingu duhet të kishte mbaruar dhe të mos kishte nevojë për shtyrje mandati! Vettingu në fazën që është ka nevojë për transparencë dhe mbikqyrje të pavarur që duhen pasuar me analiza bazuar mbi fakte! Edhe këtu ka një shkrehje të shoqërisë civile – monitorimi është i vakët dhe mungojnë sugjerimet profesionale për çfarë mund të bëhet më mirë në kohën e mbetur!/Hashtag.al