Vendosni fjalën kyçe....

Rritja e çmimeve e çon besimin e konsumatorëve në nivelin më negativ që prej fillimit pandemisë


Treguesi i besimit në ekonomi shënoi rënie për të tretin muaj radhazi në mars. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) ra më tej me dy pikë përqindje.

Ashtu siç pritej, ndikimin kryesor në përkeqësimin e besimit e dha rritja e çmimeve dhe pritshmëritë për rritje të mëtejshme të tyre në të ardhmen.

Rënia u përcaktua nga përkeqësimi i besimit konsumator dhe i besimit të bizneseve në sektorin e tregtisë, por rënia u kufizua pjesërisht nga përmirësimi i besimit të bizneseve në sektorët e industrisë, shërbimeve dhe ndërtimit. Të gjithë sektorët e biznesit raportuan pritje për rritje të çmimeve të tyre të shitjes në të ardhmen e afërt.

Treguesi i besimit konsumator shënoi një rënie prej 6.7 pikë përqindjeje në muajin mars. Kjo rënie ka bërë treguesi të arrijë nivelin e dytë më të ulët historik pas minimumit që shënoi në fillimet e pandemisë. Ajo u ndikua sidomos nga pritjet për situatën ekonomike dhe situatën financiare. Rënie shënoi edhe treguesi për blerjet aktuale, ndërsa balanca e pritjeve për blerjet gjatë muajve të ardhshëm mbeti pothuajse e pandryshuar. Situata inflacioniste ka bërë që pritjet e konsumatorëve për çmimet e konsumit në të ardhmen të shënojnë rritje.

Treguesi i besimit në tregti ra me 1.5 pikë përqindje në muajin mars. Kjo rënie ka përforcuar atë të nisur në muajin shkurt. Në terma të komponentëve, rënia është përcaktuar nga komponenti i ecurisë aktuale të biznesit, ndërsa balanca e pritjeve për nivelin e punësimit ka mbetur pothuajse e pandryshuar. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë vlerësuar me rritje nga bizneset e tregtisë.

Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 0.7 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar. Kjo rritje vjen pas trendit rënës që treguesi kishte shënuar në dy muajt e parë të vitit 2022. Ajo u ndikua si nga komponenti i ecurisë aktuale të biznesit ashtu edhe nga ai i kërkesës, por ky i fundit shënoi një rritje më të lartë. Pritjet e bizneseve të shërbimeve për nivelin e çmimeve që do të vendosin në të ardhmen janë në rritje edhe këtë muaj.

Treguesi i besimit të industrisë shënoi rritje prej 2.2 pikë përqindjeje krahasuar me muajin e kaluar. Kjo rritje i atribuohet ecurisë pozitive të kontratave porositëse në total. Nga ana tjetër, balancat për prodhimin dhe kontratat porositëse nga eksportet pësuan rënie të lehta. Pritjet e bizneseve të industrisë për çmimet e produkteve që do të prodhojnë kanë shënuar rritje.

Treguesi i besimit në ndërtim pësoi një rritje të lehtë prej 0.5 pikë përqindjeje në muajin mars, duke vijuar të qëndrojë mbi mesataren e vet historike. Komponentët e këtij treguesi dhanë kontribute në kahe të kundërta. Nga njëra anë, balanca e aktivitetit ndërtues u përmirësua, ndërsa nga ana tjetër, balanca e porosive aktuale pësoi rënie. Pritjet për çmimet që bizneset e ndërtimit do të vendosin në të ardhmen u rritën në muajin mars.

 

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al