Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Vasilit: Pronat e shtetit iu dhanë Klodian Zotos për t’i lënë peng në bankë ndërkohë që kishte nisur hetimi


Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka dalë sot në një deklaratë për mediet për të denoncuar të tjera fakte që lidhen me çështjen e inceneratorëve. Ai denoncoi dy skandale:

I pari që Kompania e Inceneratorëve të merrte 8 milion euro kredi në bankë duke lënë peng pronat e shtetit. I dyti që Bashkia e Tiranës mori 12 automjete për përdorim nga Kompania e Inceneratorëve me sebepin e pandemisë, kur kjo kompani s’ka asnjë lidhje me shitjen apo dhënien me qira të automjeteve.

Çështja 1: Vasili deklaroi se institucionet shqiptare, më saktë Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjetikës si dhe Bashkia e Tiranës kishin miratuar marrjen e 8 milionë eurove kredi nga kompania e inceneratorëve e Klodian Zotos duke lënë si kolateral pronat e shtetit. Ajo që e bën më të rëndë skandalin sipas tij është se kjo ka ndodhur në kohën kur kishin filluar hetimet.

“Fakte tepër të rënda dhe skandaloze vazhdojnë të dalin në dritë lidhur me aferën e inceneratorëve. Praktikisht skandali ka arritur kulmin.

Toka, pronësi e shtetit i jepet koncensionarit për ta lënë peng për të marrë kredi. Pra toka i jepet koncensionarit për ta lënë peng atë, peng tek banka. Kur ndodh kjo të nderuar qytetarë, për të hyrë në atë që është thelbi i skandalit.

Pikërisht më 4 nëntor të këtij viti koncensionari merr 8 milionë eurove kredi në një bankë shqiptare, ndërkohë që kishin filluar hetimet, sekuestrimi i dokumenteve, kur ishin tre kallëzime të mëdha nga LSI, plus një kallëzim shtesë në tetor dhe kallëzime të tjera të bëra nga organizata të tjera qeveritare e parti të tjera politike.

Por nga lindi skandali?

Skandali ka lindur pikërisht që në kontratë, ku jepet ku jepet e drejta e përdorimit të shesheve e aseteve që mund të lihen peng nga koncensionari. Pra me ndërgjegje të plotë, pa asnjë kufizim dhe pa asnjë lloj mbrojtjeje i japin të drejtë koncensionarit të lërë peng tokën e shtetit.”- tha Vasili në një konferencë për mediet.

Çështja 2: Mes të tjerash, Vasili shtoi se një tjetër skandal i dytë i madh që trajton qartë marrëdhëniet koncesionar-Bashki Tiranë është edhe kontrata për marrjen e 12 automjeteve me kontratë huapërdorje nga koncensionari i Inceneratorit të Tiranës për Policinë Bashkiake me “sebepin e pandemisë”.

Ai theksoi se kompania koncensionare nuk ka asnjë lidhje me aktivitete që lidhen me shitjen apo dhënien me qira të automjeteve, dhe për më tepër disa prej këtyre automjeteve janë marrë me qira nga kompania e drejtuar nga bashkëshortja e Drejtorit të Përgjithshëm të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja.

Sipas Vasilit, këto dy raste tregojnë si janë shpërdoruar paratë publike dhe plaçiktur ato në rrethin e ngushtë të kompanisë së inceneratorëve, kryetarit të bashkisë Erion Veliaj dhe të zyrtarëve të tjerë shtetërorë.

DENONCIMI I VASILIT

Në mënyrë skandaloze institucionet shqiptare, qeveria e pushtetit lokal, Bashkia e Tiranës dhe MIE miratojnë marrjen e 8 milionë eurove kredi nga Klodian Zoto pikërisht në 4 nëntor të vitit 2021 ndërkohë që për çështjen kishte filluar hetimi dhe sekuestrimi i dokumentacioneve.

Në marrëveshjen e inceneratorëve, thuhej në mënyrën më skandaloze se koncesionari, pra Zoto dhe kompani kishin të drejtë të linin peng dhe kolateral pronat dhe asetet shtetërore, sheshet dhe servitutin e kalimit si dhe të ardhurat e përfituara, pra gjithçka.

Banka përkatëse, ku koncesionari kishte bërë kërkesën për kredi në mënyrë të përgjegjshme karshi likuiditeve të saja i kërkon koncesionarit të njoftojë autoritetin kontraktor(MIE) dhe të marrë konfirmim me shkrim nga Bashkia Tiranë për të vendosur si garanci pagesat dhe asetet shtetërore. Këto dy të fundit nuk bëjnë as më të voglin kundërshtim dhe lejojnë marrjen e kredisë e cila disbursohet rreth 6.9 milionë euro në tranzhin e parë.

Kaq e patolerueshme dhe e rëndë bëhet situata sa vetë banka detyrohet që pas marrjes së informacioneve mediatike të ndërpresë dhënien e tranzhit të fundit prej 1.1 milionë euro pasi kishte dyshime lidhur me koncesionarin dhe veprimatarinë e tij dhe për këtë gjë në datën 7 dhjetor i drejtohet zyrtarisht kompanise duke refuzuar disbursimin.

Pra të nderuar qytetarë, në vend që detyrën e mbrojtjes së interesit publik ashtu siç e kanë për detyrë ta kryenin qeveria dhe Bashkia e Tiranës këtë e bën banka private.

Skandali dytë tjetër i madh që trajton qartë marrëdhëniet koncesionar-Bashki Tiranë është edhe kontrata për marrjen e 12 automjeteve me kontratë huapërdorje nga koncesionari i Inceneratorit të Tiranës për Policinë Bashkiake me sebepin e pandemisë. Koncesionari nuk ka asnjë lidhje me aktivitete që lidhen me shitjen apo dhënien me qira të automjeteve, por ka për detyrë incenerimin dhe trajtimin e mbeturinave sipas marrëveshjes përkatëse.

Dokumentat e provojnë qartë këtë gjë sepse koncesionari i ka marrë ato po me qira nga kompani që kryejnë këto shërbime por këtu vjen edhe një fakt tjetër akoma dhe më interesant.

Nga dokumentat që ne disponojmë për një pjesë të automjeteve për katër prej tyre janë marrë nga kompania Alba Rent me administratore Elda Gonxhja, bashkëshortja e Drejtorit të Përgjithshëm të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja. Vetëm për këto katër automjete për të cilat ne disponojmë kontratën kompania koncesionare paguan një shumë vjetore prej 38.400 euro qira.

Pra, është shumë e qartë sesi janë shpërdoruar paratë publike dhe plaçiktur ato në rrethin e ngushtë të koncesionarit, kryetarit të bashkisë dhe kompani të zyrtarëve të tjerë shtetërorë duke bërë batërdi me paratë publike.

Këto janë disa dokumente që ne na u vunë në dispozicion është sigurisht e qartë që SPAK ka të gjitha mundësitë dhe fuqinë ligjore për t’i zbardhur deri në fund për t’i çuar përgjegjësit para ligjit por dhe për të informuar dhe opinionin publik shqiptar mbi gjithçka ka ndodhur.