Vendosni fjalën kyçe....

Agim Ademi rizgjidhet Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës


Agim Ademi ka fituar një mandat të dytë 4-vjeçar si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Delegatët e Kuvendit Zgjedhor të cilët u mblodhën sot e zgjodhën Ademin, i cili ishte i vetmi kandidat për president, me 42 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër.

Gjatë mbledhjes ishin të pranishëm edhe të dërguarit nga FIFA dhe UEFA, që monitoruan të gjithë procesin.

Pasi u rizgjodh në krye të federatës, Ademi tha se do ta marrë detyrën me shumë seriozitet.

 “Mos harroni se vij nga klubet dhe jam njëri nga ju. Vij nga bota e futbollit dhe për këtë jam i lumtur se jam në familjen time, në shtëpinë time. I di hallet e të gjithëve, i di hallet e futbollistit, i di hallet e investitorit të klubit dhe i di punët e Federatës së Futbollit.”- tha mes të tjerash Ademi.