Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky refuzoi ofertën për paqe disa ditë përpara ofensivës ruse – WSJ


Kancelari gjerman Olaf Scholz i kishte ofruar presidentit ukrainas Volodimir Zelensky një mundësi për paqe vetëm disa ditë para nisjes së ofensivës ushtarake ruse, por presidenti ukrainas e kundërshtoi atë, ka raportuar Wall Street Journal (WSJ).

Scholz kishte bërë atë që gazeta amerikane e përshkroi si ‘një shtytje e fundit për një zgjidhje midis Moskës dhe Kievit’ më pak se një javë përpara se forcat ruse të dërgoheshin në Ukrainë më 24 shkurt.

Kancelari tha Zelensky-t në Mynih më 19 shkurt se Ukraina duhet të heqë dorë nga synimet e saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe të deklarojë asnjanësinë si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të sigurisë evropiane midis Perëndimit dhe Rusisë, shkruan gazeta.

E përditshmja pohon gjithashtu se ‘pakti do të nënshkruhet nga Putin dhe Biden, të cilët do të garantonin së bashku sigurinë e Ukrainës’.

Megjithatë, Zelensky e hodhi poshtë ofertën për të bërë lëshimin dhe për të shmangur konfrontimin, duke thënë se ‘nuk mund t’i besohej presidentit rus Putin për të mbështetur një marrëveshje të tillë dhe se shumica e ukrainasve donin të anëtarësoheshin në NATO,’ raporton WSJ, pa zbuluar burimet për informacion.

“Përgjigja e tij i la zyrtarët gjermanë të shqetësuar se mundësitë për paqe po zbeheshin”, thekson raporti.

Scholz dhe Zelensky u takuan atë ditë në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, në të cilën secili mbajti një fjalim.