Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Popullit reagon për dhunën ndaj studentëve: Mos cenoni të drejtat


Avokati i Popullit ka bërë thirrje që të mos ushtrohet asnjë lloj forme intimidimi apo presioni të fshehur apo të drejtpërdrejtë për të cenuar të drejtën e studentëve për të protestuar.

Përmes një deklarate për mediat, ky institucion shpreh shqetësimin për qasjen represive ndaj formave të ndryshme të protestës së një numri studentësh shqiptarë të cilët kërkojnë plotësimin e disa pikave me synim përmirësimin e gjendjes së arsimit universitar në vend.

Avokati i Popullit vlerëson si një zgjidhje pozitive uljen e tarifave dhe adresimin e disa prej kërkesave të studentëve, duke theksuar më tej se studentët janë ata që kanë të drejtë të bejnë vlerësimin përfundimtar në lidhje me realizimin e kërkesave të tyre.

“Institucioni i Avokatit të Popullit për të disatën herë kërkon që autoritetet tona të garantojnë me të gjitha mënyrat që qytetarët ta shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë paqësore, të pashqetësuar e të pa vënë nën presione të çdo lloji”,thuhet në deklaratë.

“Avokati i Popullit bën thirrje që askush të mos ushtrojë asnjë lloj forme intimidimi apo presioni të fshehur apo të drejtpërdrejtë për të cenuar të drejten e studentëve për të protestuar dhe të zgjidhet një qasje e re mirëkuptuese, dëgjuese dhe vetëkorrigjuese përballë kërkesave të tyre të drejta”.

Më tej, bëhet me dije se ekipet e Avokatit të Popullit janë në ndjekje të vazhdueshme të situatës në të gjitha lokacionet e saj, ata kanë bashkëbiseduar me studentë dhe kanë marrë ankesat e tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *