Vendosni fjalën kyçe....

Le Pen: Putin mund të jetë sërish aleat i Francës


Kandidatja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen, e sheh Rusinë si partner veçanërisht në luftën kundër terrorizmit. Kjo sipas kandidates për presidente, vetëm pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

Vladimir Putin, i cili nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti, mund të bëhe sërish aleat i Perëndimit. Kështu mendon, Marine Le Pen e cila po synon t’i prijë pallatit Elize. Derisa Rusia është bërë objektiv i shumë sanksioneve perëndimore, gjërat do të ndryshonin, thotë ajo, me përfundimin e luftës në Ukrainë.

“E kam thënë gjithmonë, një fuqi e madhe mund të jetë në të njëjtën kohë aleate, kundërshtare, armike apo konkurrente”, deklaroi Marine Le Pen.

Le Pen, e cila në sondazhin e fundit mori 20 për qind të përkrahjes, e sheh Putinin si aleat ‘në luftën kundër islamit fundamentalist”.

53 vjeçarja para luftës në Ukrainë njihej për afërsinë me presidentin rus.

Sipas Liberation, ajo kishte planifikuar të shfaqej me Putin para zgjedhjeve në Francë, por se pushtimi në Ukrainë prishi planet.

Më 2017, më pak se katër javë para zgjedhjeve presidenciale, Marine Le Pen, kishte takuar Vladimir Putinin. Ky i fundit kishte mohuar se donte të ndikonte në zgjedhjet e Francës, por kishte vlerësuar qëndrimet e Le Pen, veçanërisht ato kundër terrorizmit.

Franca mban zgjedhjet presidenciale më 10 prill derisa 12 kandidatë synojnë postin e presidentit, përfshirë Emmanuel Macron.