Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina: Trupat ruse janë larguar nga Çernobili


Trupat ruse që pushtuan ish-centralin bërthamor në Çernobil janë larguar, të paktën kështu thotë stafi i termocentralit.

Sipas kompanisë shtetërore bërthamore të Ukrainës, Energoatom, stafi i uzinës tha se aktualisht nuk ka “të huaj“.

Më herët, pati lajmëruar se disa forca ruse ishin nisur drejt kufirit me Bjellorusinë, duke lënë pas vetem një grup të vogël.

Njoftimi duket se konfirmon raportet e së mërkurës për një tërheqje të forcave ruse.

“Këtë mëngjes, pushtuesit njoftuan synimet e tyre për t’u larguar nga centrali bërthamor i Çernobilit.”- tha Energoatom në një deklaratë të enjten, citon BBC.

Kompania më vonë akuzoi ushtrinë ruse për rrëmbimin e anëtarëve të Gardës Kombëtare të Ukrainës të mbajtur rob që nga fillimi i luftës. Energoatom ua dha informacionin punonjësve në uzinë por nuk dha numra. Po ashtu konfirmoi raportet se trupat ruse kishin hapur llogore në pjesën më të kontaminuar të zonës së përjashtimit të Çernobilit, duke marrë “doza të konsiderueshme” rrezatimi. Ka raporte të pakonfirmuara se disa prej tyre po trajtohen në Bjellorusi.

Agjencia e lajmeve Reuters citoi punëtorët në uzinë të thoshin se disa nga ushtarët nuk e kishin idenë se ishin në një zonë rrezatimi.

Ushtria ruse, megjithatë, tha se pas kapjes së uzinës, nivelet e rrezatimit në vetë centralin kishin qëndruar brenda një intervali normal. Kreu i agjencisë së Ukrainës, Yevhen Kramarenko, tha se nivelet e rrezatimit dukeshin normale dhe nuk kishte asnjë tregues për dëme të konsiderueshme. Megjithatë shtoi, meqenëse sensorët për zbulimin e niveleve të rrezatimit nuk funksiononin, stafi duhej të kontrollonte objektet.