Vendosni fjalën kyçe....

Hyn në fuqi akti normativ për monitorimin e çmimeve të produkteve të shportës – Gjoba deri në 10 milionë lekë kush abuzon


Duke nisur nga sot hyn në fuqi vendimi për ngritjen e bordit për monitorimin e çmimeve të produkteve të shportës dhe përcaktimin e marzheve të fitimit të bizneseve të këtij sektori.

Kështu sipas një vendimi të publikuar në fletoren zyrtare, fillimisht bordi i ngritur që do të ketë edhe përfaqësues nga biznesi do të përcaktojë listën e ushqimeve që do të jenë pjesë e monitorimit dhe mbi bazë të listës do të caktojë çmimet duke u bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Doganave dhe në nivelin e fitimit të bizneseve.

Çmimet e produkteve të shportës do të monitorohen çdo javë nga bordi i transparencës.

Subjektet e shumicës që nuk respektojnë vendimet e bordit do të penalizohen me gjoba deri 10 milionë lekë, ndërsa për tregtarët e vegjël masa administrative do të jetë 2 milionë lekë.

Në rast përsëritje të shkeljeve do të dënohet me mbyllje të aktivitetit deri në sekuestrimin e mallit.

“Neni 7 Masat e veçanta administrative Në rast të mosrespektimit të marzhit të fitimit të vendosur nga Bordi për produktet ushqimore bazë dhe produktet e tjera të lidhura me to zbatohen sanksionet e mëposhtme:

a) Subjektet e tregtimit me shumicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të lidhura me to dënohen me gjobë, në masën 10 (dhjetë) milionë lekë;

b) Subjektet e tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të lidhura me to dënohen me gjobë, në masën 2 (dy) milionë lekë;

c) Në rast përsëritjeje, masave të përcaktuara në shkronjat ‘a’ dhe ‘b’, të këtij neni, i shtohet edhe pezullimi i ushtrimit të aktivitetit dhe sekuestrimi i produkteve në gjendje inventari.”– thuhet në aktin normativ.

Gjobat e mbledhura, sipas këtij akti normativ, derdhen 100% në buxhetin e shtetit.