Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi mblodhi sot në një takim drejtuesit e njësive të shërbimit psiko-social nga të gjitha zyrat vendore arsimore dhe ekspertë nga ky dikaster, për të diskutuar disa mbi masat që duhet të marrin për të përmirësuar sjelljen e punonjësve arsimorë dhe të nxënësve në shkolla.
Në një postim në rrjetet sociale, Kushi thotë se në këtë takim kanë vendosur të bëjnë një verësim psiko-social fillestar dhe periodik për çdo mësues në sistemin arsimor. Po ashtu do nisin një fushatë të re ndërgjegjësimi për të parandaluar dhunën në shkolla.
“Pas një takimi me drejtuesit e njësive të shërbimit psiko-social nga të gjitha zyrat vendore arsimore, si dhe konsultimeve me ekspertë e Ministrisë së Arsimit angazhohemi që:
– së shpejti të bëhet një vlerësim psiko-social fillestar dhe periodik për çdo mësues në sistemin arsimor;
– të ndërmarrim një fushatë të re ndërgjegjësimi ‘Stop Dhunës në Shkollë’ për parandalimin dhe trajtimin e çdo rasti, me fokus nxitjen e nxënësve, prindërve, mësuesve dhe gjithë komunitetit shkollor për të denoncuar dhunën apo abuzimin;
– të respektohen me përpikmëri të gjitha aktet ligjore, nënligjore dhe rregulloret në shkolla ku parashikohet largim nga detyra për çdo rast dhune apo abuzimi nga punonjësit arsimor.”- shkruan ministrja Kushi.