Vendosni fjalën kyçe....

Kompania e mbështetur nga Gates & Bezos nis shpimin për minerale në Groenlandë


Kompania me bazë në SHBA për eksplorimin e mineraleve ‘KoBold Metals’ tha se është gati të fillojë shpimet për nikel dhe lëndë të tjera të para të përdorura në automjetet elektrike, mes çmimeve të larta të shkaktuara nga sanksionet e lidhura me Ukrainën ndaj Rusisë.

Kompania siguroi 51% të aksioneve në projektin Disko-Nuussuaq në bregun perëndimor të Groenlandës vitin e kaluar, e operuar nga Bluejay Mining me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Në sipërmarrjen e tyre të përbashkët, firmat minerare planifikojnë të shpojnë një total prej 3000 metrash në vitin 2022 në thellësi nga 150 deri në 400 metra për të arritur në vendin ku ndodhen metalet.

“Objektivi është të synojmë metalet masive të nikelit, bakrit, kobaltit dhe platinit”, tha CEO i Bluejay, Bo Stensgaard për Reuters.

Projekti ambicioz vjen pasi çmimet për metalet, veçanërisht nikelin, të përdorura në bateritë e automjeteve elektrike u dyfishuan më herët në mars, mes sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë pas operacionit të saj ushtarak në Ukrainë.

Rusia furnizon rreth 10% të nevojave të nikelit në botë, si dhe 4% të kobaltit. Ajo është gjithashtu prodhuesi i 8-të më i madh i bakrit në botë dhe furnizuesi i katërt më i madh i platinit.

 “Zhvillimet e fundit gjeopolitike fatkeqe tregojnë qartë se bota perëndimore ka nevojë për depozita të reja të këtyre metaleve të rëndësishme.” – tha Stensgaard.

KoBold është i famshëm për përdorimin e teknikave të inteligjencës artificiale për të parashikuar përbërjen e nëntokës në kërkimin e lëndëve të para.

Firma thotë se qëllimi i saj është të ‘elektrizojë plotësisht ekonominë globale’ dhe të fillojë një ‘revolucion të automjeteve elektrike’.

Projekti mbështetet nga miliarderë të shquar si bashkëthemeluesi i Microsoft Bill Gates, themeluesi i Amazon Jeff Bezos dhe Ray Dalio, themeluesi i fondit më të madh mbrojtës në botë, Bridgewater Associates.