Vendosni fjalën kyçe....

Dy aktivistet u rrahën në mes të rrugës, Organizata Politike njofton protestë para Drejtorisë së Policisë: Shteti Indiferent ndaj dhunës


Organizata Politike ka reaguar pas sulmit që iu bë ditën e djeshme dy vajzave në kryeqytet nga 30-vjeçari Denis Telo, i njohur për aktet e dhunshme në kryeqytet.

Përmes një njoftimi për mediet, Organizata Politike zbulon se dy vajzat që shfaqen në videon e bërë virale tashmë janë dy aktivitet Albina dhe Mirela Ruko, ndërsa publikon edhe foto në të cilat shfaqen shenjat e dhunës në fytyrën e dy vajzave.

Personi që i dhunon vajzat që po kalonin në rrugë kishte marrë një sërë denoncimesh të mëparshme nga të tjerë qytetarë.

“Sot rreth orës 13:00 dy aktivistet e Organizatës Politike Albina Ruko dhe Mirela Ruko janë sulmuar dhe goditur fizikisht pranë vendbanimit të tyre. Pas denoncimit në polici, morëm vesh se keqbërësi, i quajtur Denis, është një personazh famëkeq, i njohur edhe nga policia si dhunues përsëritës i vajzave në rrugët e Tiranës. Ndaj këtij personi ka të paktën 8 kallëzime në polici për dhunë ndaj vajzave, por në të gjitha rastet institucionet ligjzbatuese e kanë lënë të lirë.”- thuhet në njoftimin e Organizatës Politike.

Për këtë arsye aktivistët gjykojnë se autoritetet kanë qëndruar indiferente ndaj këtij fakti dhe janë përgjegjëse për dhunën ndaj vajzave.

“Përgjegjës për dhunën kafshërore ndaj shoqeve tona dhe vajzave të tjera nuk është vetëm ky keqbërës, por edhe i gjithë zinxhiri i institucioneve shtetërore që vazhdojnë të tolerojnë krime të tilla: nga policia te prokuroria dhe çdokush që ka në dorë të frenojë dhunën. Për këto institucione, jeta dhe siguria fizike e vajzave janë të parëndësishme.– vijon postimi.

Për këto arsye përmes një tjetër postimi, Organizata Politike ka njoftuar një protestë sot në orën 12:00 përpara Drejtorisë së Policisë.

Për të denoncuar dhunën ndaj vajzave dhe tolerancën shtetërore ndaj këtij fenomeni, ne, aktivistët e Organizatës Politike, do të mblidhemi nesër (e diel) në orën 12:00 përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Keqbërësi nuk duhet të jetë më rrezik për jetën e vajzave. Përgjegjësit e neglizhencës ndaj dhunës duhet të japin llogari. Asnjë vajzë më shumë!”- thuhet në njoftimin e Organizatës Politike.