Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Shpopullimi i Shqipërisë nuk po ndalet, problem kombëtar alarmues


Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar përsëri me shqetësim lidhur me shpopullimin e vendit.

Ai ka publikuar një tabelë në të cilën tregohen aplikimet për azil në vendet e Bashkimit Europian nga 6 vendet e rajonit.

“Shpopullimi i Shqipërisë nuk po ndalet.

Vitin e kaluar, sipas ‘European Union Agency for Asylum’, 11,246 shqiptarë kërkuan azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, duke na renditur sërish të parët për numrin e aplikimeve.

Largimi i të rinjve, si dhe i fuqisë intelektuale dhe punëtore më të kualifikuar, në mungesë të shpresës dhe perspektivës, është një problem kombëtar alarmues, që duhet të na bashkojë të gjithëve, duke e adresuar me përgjegjshmëri, me atdhetari dhe me profesionalizëm.”– shkruan Meta.

Ai shton se duhen përmirësuar standardet e qeverisjes e llogaridhënies për të ndaluar shpopullimin e vendit.

“Të ndalim shpopullimin duke përmirësuar standardet e qeverisjes, të llogaridhënies demokratike dhe rritur përfaqësimin e të rinjve në vendimmarrje!

Të bashkojmë energjitë për të rikthyer shpresën dhe për t’i dhënë Shqipërisë drejtimin dhe perspektivën e merituar europiane, që të gjithë e dëshirojmë!”– përfundon Meta.